Zbulohet rrjeti i trafikantëve, drejtohej nga një femër
Policia ka vënë në pranga tri vetë që çonin klandestinë nga Shqipëria në Greqi përkundrejt shumave 1800-2000 euro
GJIROKASTËR- Disa muaj hetime e përgjime shkatërrojnë një grup trafikantësh të klandestinëve, të cilët prej shumë kohësh kalonin shtetas nga Shqipëria në Greqi dhe që bazën e kishin në qytetin e Përmetit. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se ky grup drejtohej nga Marjana Nako.
Në pranga vendosen tri prej anëtarëve, pas një operacioni të ndërmarrë nga uniformat blu dhe prokuroria dhe në të njëjtën ditë për ta gjykata vendos edhe masën e sigurisë. Për të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet po mblidhen provat e nevojshme.
Rrjeti
Mësohet se rrjeti i trafikut të klandestinëve, që bënte të mundur dërgimin e tyre drejt Greqisë, kundrejt shumave të konsiderueshme e kishte bazën në qytetin e Përmetit e që si rrallëherë drejtohej nga një femër. Ndërkaq, lidhjet e ndryshme bënte që të rekrutoheshin shtetas nga një sërë zonash të vendit, duke filluar nga Dibra, Durrësi, Berati, Fieri, Lushnja, Tepelena etj.
Me qindra klandestinë kanë mundur të kalojnë kufirin shtetëror të ndihmuar nga ky rrjet, përgjatë muajve të fundit, ndërsa secilit prej klandestinëve që donin të shkonte në Greqi u duhej të paguante nga 1800 deri në 2000 euro. Në grupe të organizuara ata shoqëroheshin më tej drejt kufirit të gjelbër kryesisht në të dyja anët e doganave, Tri Urat dhe Kakavija.
Operacioni
Prej më shumë se gjashtë muajsh, rrjeti i trafikut të klandestinëve, me bazë në qytetin e Përmetit e me shtrirje edhe në Gjirokastër, ishte vënë nën hetim nga agjentë të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar.
Përgjimet telefonike, informacionet e marra në rrugë operative si dhe një sërë deklarimesh të bëra nga klandestinë të kapur apo të kthyer mbrapsht si deportivë kanë mjaftuar që për tri prej anëtarëve të këtij rrjeti të mblidheshin provat ligjore të mjaftueshme. Pas kësaj, nga zyrat e prokurorisë së rrethit kanë dalë edhe urdhër- ndalimet, të ekzekutuara gjatë operacionit policor të koduar "Parkimi i fundit".
"Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër finalizuan me sukses operacionin e koduar "Parkimi i fundit", i cili çoi në pranga një grup që ushtronte aktivitet kriminal të theksuar në fushën e trafikimit të qënieve njerëzore në drejtim të shtetit grek dhe konkretisht 33-vjeçaren Marjana Nako, lindur dhe banuese në Piskovë të rrethit Përmet, Lame Dhandili, 48 vjeç dhe Artur Stroka, 37 vjeç, të dy nga Gjirokastra.
Ky grup drejtohej nga shtetësja Marjana Nako, me banim në qytetin e Përmetit",- kanë bërë të ditur burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës. Ndërkaq, menjëherë pas arrestimit, të tri personat kanë dalë përpara trupit gjykues ku u është caktuar edhe masa e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit dhe në bashkëpunim".
Gjithashtu u janë sekuestruar dy automjetet në pronësi të dy të ndaluarve, përkatësisht automjeti tip Kia, me targa greke MYH 12 44 në pronësi të shtetases Marjana Nako, automjeti tip Audi, me targë GJ 91 35 A në pronësi të shtetasit Lame Dhandili, një shumë prej 300 eurosh si dhe 6 celularë. Ndërkaq, mësohet se janë identifikuar tashmë edhe të tjerë persona të përfshirë në këtë trafik e për të cilët është duke u punuar që të grumbullohen provat ligjore.