E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi në Gjykatën e Lartë; Lirohet i pandehuri, po gjykohej për së dyti për të njëjtën vepër penale



Gjykata e Lartë dy ditë më parë ka liruar shtetasin me origjinë nga Maqedonia, Xhavit Hoxha, i cili ishte duke u gjykuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një vepër penale të cilën është gjykuar më parë. Padia ishte bërë nga ana e avokatëve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) në emër të shtetasit Hoxha, i cili po gjykohej për të dytën herë për të njëjtën vepër penale. “Pas gjetjes si të bazuara të argumenteve të paraqitura nga avokatët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimeve nr. 23, datë 25.04.2008 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe vendimit nr. 53 datë 23.11.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe lirimin e Xh. Hoxhës për shkak të gjykimit një herë më parë të veprës penale”, - sqarohet në një njoftim nga KSHH-ja. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë konstatoi se në çështjen penale ishte cenuar një nga parimet kushtetuese më të rëndësishme: parimi i mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale. Rasti i gjykimit për herë të dytë të shtetasit Xh. Hoxha u konstatua gjatë monitorimeve që KSHH-ja është duke kryer nëpër gjykata. Por, shtetasi Hoxha ka reaguar në mënyra të ndryshme lidhur me vendimet e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit, madje edhe duke tentuar vetëvrasjen. Por, gjyqtarët e dy gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit në vendimet e tyre kanë argumentuar se nuk ka një marrëveshje me Maqedoninë, ndaj dhe nuk mund ta lironin Hoxhën. E vetmja gjykatë që mund ta bënte një gjë të tillë, sipas tyre, ishte Gjykata e Lartë.

Vendimi

Apeli dënon 23 vjet burg Fotaq Zaharinë, akuzohet për 5 vrasje

Apeli i Krimeve të Rënda dënoi dje me 23 vjet burg Fotaq Zaharinë, i cilësuar si i tmerrshmi i Vlorës, për shkak të vrasjeve dhe akuzave për tentativë vrasjeje, për të cilat dyshohet dhe është dënuar nga dy shkallë të gjyqësorit. Pasi kanë dëgjuar rrethanat e ngjarjeve për të cilat akuzohet, prokurori kërkoi deklarimin e tij fajtor, ndërkohë që gjykata e dënoi përfundimisht 48-vjeçarin fajtor për 5 akuzat e ngritura me 23 vjet heqje lirie. I njohur për bëmat e tij në qytetin bregdetar të Vlorës, si dhe tentativat e shumta për t’i shpëtuar rrethimit të policisë, tre vjet më parë u arrit në arrestimin e Zaharisë, i plagosur në këmbë, pasi tentoi t’i shpëtonte sërish rrethimit. I shpallur një ndër 10 më të kërkuarit, mbi Zaharinë rëndojnë akuzat për disa ngjarje, si ajo e 24 tetorit të vitit 1999, për rrëmbimin në bashkëpunim me të tjerë të 6-vjeçarit Denis Xhelo. Në shkëmbim të lirimit të pengut, Zaharia dhe të tjerët kanë kërkuar 18 milionë lekë. Pas kapjes së personave që rrëmbyen fëmijën, si dhe lirimin e fëmijës nga një aksion i suksesshëm i policisë, Fotaq Zaharia, së bashku me personat e tjerë u lanë për ndjekje penale dhe si përfundim Zaharia dënohet nga gjykata me 25 vjet burg. Më 17 qershor të vitit 2001, Zaharia ka mundur të largohet nga qelitë e burgut të Vlorës së bashku me tre persona të tjerë, duke hapur murin e dhomave të paraburgimit të Vlorës, nga ku u arratis. Më 29 qershor të vitit 2005, në një përplasje me Policinë Kriminale në fshatin Trevllazër ka plagosur me granatë ofensive shefin e Policisë Kriminale të Vlorës në atë kohë, Gentian Musabelliun. Më pas, ai ka mundur të largohet. Zaharia mundi t’i shpëtojë disa herë policisë për të rënë në duart e saj tre vjet më parë. Fotaq Zaharia u dënua më 22 janar të këtij vitit nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 23 vjet burgim. Pas vendimit, avokati i Zaharisë apeloi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë, i cili u la në fuqi dje nga Apeli.

Somario

I shpallur një ndër 10 më të kërkuarit, mbi Zaharinë rëndojnë akuzat për disa ngjarje, si ajo e 24 tetorit të vitit 1999, për rrëmbimin në bashkëpunim me të tjerë të 6-vjeçarit Denis Xhelo

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›