Sherr mes shoferëve, plagoset 48-vjeçari
KONKURRENCA/ Besnik Miço, drejtues i autobusit të linjës Lushnjë-Sarandë, është qëlluar me thikë në bark
Grindja mes drejtuesve të automjeteve-taksi ka lindur pas ndalesës së autobusit për të zbritur dy pasagjerë të tij
FIER - Konkurrenca mes automjeteve-taksi ka çuar në një sherr me thikë dhe në një të plagosur. Ngjarja ka ndodhur dje paradite, ndërsa viktima ishte drejtuesi i një autobusi interurban, i linjës Lushnjë - Sarandë, Besnik Miço, i cili pasi është grindur me një drejtues taksie në Fier, është qëlluar me thikë.
Ai ndodhet në spitalin e Fierit, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka ndaluar dy shtetas, babë e bir, të cilët më pas janë liruar dhe do të hetohen në gjendje të lirë.
I pyetur lidhur me ngjarjen, Besnik Miço ka rrëfyer se ishte ora rreth 07:00 e mëngjesit kur ai me autobusin që drejtonte, të linjës Lushnjë - Sarandë, ka qëndruar në hyrje të qytetit të Fierit në vendin e quajtur ish-parku i mallrave.
Ndalesa, sipas tij, ka qenë për faktin se dy prej pasagjerëve të hipur në Lushnjë do të zbrisnin në Fier.
Vendi ku ka ndaluar autobusi mësohet të jetë një stacion urban, ku zbresin ose hipin udhëtarë të cilët shkojnë në destinacione të ndryshme, si: Kakavijë, Tepelenë, Gjirokastër, Ballsh apo Fier e Vlorë. Pikërisht në këtë vend qëndrojnë edhe taksitë në pritje për të marrë pasagjerë.
48-vjeçari Miço rrëfen se pasi zbritën dy pasagjerët që ndodheshin në autobusin që ai drejtonte, disa persona, drejtues mjetesh-taksi, u drejtuan nga autobusi i tij dhe nisën debatin.
"Debatuam me njëri-tjetrin pasi, sipas tyre, nuk duhet të qëndroja aty e të merrja pasagjerë, meqë kjo ishte zona e tyre. Iu përgjigja se nuk po merrja pasagjerë, por dy prej tyre do të zbrisnin",- rrëfen Miço.
Por siç duket, ata nuk janë bindur nga ky arsyetim. Si rrjedhojë, njëri prej tyre, pikërisht drejtuesi i një furgoni-taksi, me inicialet H.M. ka filluar të zihet me grushta me 48-vjeçarin. Ai ka lajmëruar gjithashtu djalin e tij dhe pas mbërritjes së këtij të fundit në vendngjarje, Besnik Miço është qëlluar me thikë në bark.
***
Pas goditjes së marrë, Besnik Miço është dërguar në spitalin e Fierit. Mjekët kirurgë kanë ndërhyrë, ndërsa u shprehën më pas se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me ngjarjen, policia u shpreh se ka bërë të mundur shoqërimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, të cilët janë marrë në pyetje.
Pas disa orësh qëndrimi në komisariat, për ta është vendosur hetimi në gjendje të lirë, ndërsa akuzohen për veprën penale të "plagosjes".