Gjykata Kushtetuese vlerëson pozitivisht punën e saj për 2010

Drejtues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë thënë se gjatë vitit që po lëmë pas ka pasur një rritje të lëndëve rreth 40 për qind, gjë e cila sipas tyre dëshmon se kjo gjykatë ka një besueshmëri te qytetarët. Sipas tyre, shkelësit më të mëdhenj janë gjykatat, institucionet shtetërore dhe institucionet tjera.
Në një konferencë për media të martën, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se gjatë vitit 2010 është punuar në 203 lëndë, prej tyre 74 të trashëguara nga viti 2009 dhe 129 lëndë të reja, kurse prej tyre gjykata ka arritur t’i zgjedhë 119.
Sipas tij, krahasuar me vitin 2009, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pasur një rritje të lëndëve në rreth 40 për qind dhe kjo sipas tij dëshmon se kjo gjykatë ka një besueshmëri të qytetarëve.
“Vendimet më të rëndësishme që Gjykata Kushtetuese ka marrë gjatë vitit 2010 janë vendimi për rastin e logos së Komunës së Prizrenit, vendimi për rastin e pasaportave-lirisë së lëvizjes, vendimi për strukturat e komunës së Prizrenit, vendimi për rastin e presidentit, vendimi për rastin e postit të kryetarit të komunë së Rahovecit, vendimi për lagjen Dardania-Jagllanica në Prizren, vendimi për rastin e pensionistëve të KEK-ut, vendimi për rastin e punëtorëve të fabrikës së tubave në Ferizaj, vendimi për rastin e nënkryetarit të Pejës dhe vendimi për rastin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës”, ka thënë Hasani.
Ai theksoi se shumica e kërkesave të pranuara kanë të bëjnë me shkeljet e supozuara të së drejtës së personave me 31.01 për qind, me pronën 19.38 për qind, vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të gjykatave me 13.95 për qind, lëndën e marrëdhënies në punë me 12.40 për qind, etj.
“Kush janë shkelësit e supozuar? Gjykata me vendimet e tyre 90 raste ose 69.77 për qind, institucionet shtetërore 19 raste ose 14.73 për qind, institucionet tjera 18 raste ose 13.95 dhe të tjerat me dy raste ose 1.55 për qind”, ka thënë Hasani.
Hasani nuk komentoi reagimet pas vendimit për ndryshimin e logos së Komunës së Prizrenit. Sa i përket vendimit për presidentin, vendim që solli zgjedhje të jashtëzakonshme, ai ka thënë se vendime të tilla mund të sjellin efekte politik, por detyra e tyre është që të zbatohet Kushtetuta.
“Absolutisht, jo. Ne kur është marrë vendimi ka qenë pyetja nëse ne duhet të kemi shqetësim të efekteve politike me vendimet tona. Ne interpretojmë akti më sublime të një shteti që quhet kushtetutë dhe për pasojë çdo interpretim i jonë mundë të ketë pasoja serioze politike. Puna jonë nuk është që të kujdesemi për ato, por puna jonë është që të kujdesemi që zbatimi dhe interpretimi i kushtetutës të jetë sa më konform atyre standardeve dhe atyre demokracive perëndimore, të cilat i synon Kosova”, ka thënë Hasani.
Ai ka bërë të ditur se 100 kërkesa janë parashtruar nga shqiptarët, dy kërkesa nga komuniteti boshnjak, dy nga shtetas të huaj dhe 16 nga institucionet dhe personat juridik. /kosovapress/