E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Letër-porosi në Turqi për Aldo Baren

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje që të dërgojë në shtetin turk një letër-porosi në "adresë" të kreut të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, rreth zhvillimit të procesit gjyqësor që pritet të fillojë në muajin tetor të këtij viti. Dje ishte përcaktuar seanca e parë e gjyqit ndaj Bares, i ndarë nga pjesa tjetër e anëtarëve. Por mungesa e tij në seancë e ka detyruar trupin gjykues që ta dërgojnë letër-porosinë në Turqi për të njohur Baren me zhvillimin e procesit gjyqësor. Seanca e radhës është vendosur të realizohet në muajin tetor të këtij viti, ku besohet se do të ketë mbërritur përgjigjja e Bares. Kreu i Bandës së Lushnjës, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi, do të gjykohet te Krimet e Rënda nga një pesëshe gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës, të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Disa javë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë delegoi gjyqtarët Fatmira Hajdari, Artan Broci, Kreshnik Omari, Altin Abdiu dhe Sokol Tona në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtimin e kësaj dosjeje. Delegimi i gjyqtarëve të gjykatës së kryeqytetit u bë pas veçimit të dosjes së Bares nga Enver Dondollaku më 29 maj të këtij viti. Pas ndarjes së dosjes lindi nevoja e një pesësheje të re gjykuese, por prej faktit se gjyqtarët e Krimeve ishin "konsumuar" në gjykimin në themel dhe në shqyrtime të tjera gjatë procesit të anëtarëve të tjerë të "bandës", krijimi i saj ishte i pamundur. Bare akuzohet për vepra të rënda penale, përfshi "vrasjen me paramendim" dhe "krijim organizate kriminale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›