E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Bamir Topi ngushëllon familjarët e viktimave të aksidentit automobilistik



Presidenti i Republikës, Bamir Topi vizitoi dje familjarët e viktimave të aksidentit tragjik rrugor të ndodhur tre ditë më parë, ku humbën jetën katërmbëdhjetë persona dhe u plagosën dymbëdhjetë të tjerë duke u shprehur personalisht atyre ngushëllimet e tij.
Fillimisht, kryetari i Shtetit u ndal në fshatin Gojan, ku u takua me familjarët e Zef Mark Gjergjit, shoferit të autobusit, ku u shprehu atyre ngushëllimet më të përzemërta dhe respektin njerëzor për njeriun e shtrenjtë, para përcjelljes së tij për në banesën e fundit.
Ndalesën më të gjatë Presidenti Topi e pati në familjen Mustafa, e cila ka qenë më e prekura në këtë tragjedi me humbjen e tre familjarëve, ndërkohë që tre të tjerë ende gjenden të lënduar në spital. “I kam takuar dje familjarët tuaj në spital dhe mund t’ju garantoj se mjekët atje po bëjnë maksimumin. Tragjedia për ju është më e rënda. Fëmijët që kanë mbetur jetimë kanë nevojë për mbështetje dhe tani kujdesi maksimal nevojitet për të sëmurët, ndërkohë që duhet ndihmë e kualifikuar psikologjike për ta”, - vuri në dukje Topi. Në këto vizita, Presidenti Topi shoqërohej nga zëvendëskryetari i Komunës Gjegjan, Zef Cacku, nga deputetë dhe ish-deputetë, Ndue Kola, Rexhep Uka, Sali Shehu, Frok Gjin, nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Fushë Arrëzit dhe nga anëtarë të Kabinetit të tij.

20 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›