E Diel, 1 Nëntor 2026

Kume: “Të gjitha forcat politike, të bashkëpunojnë për ndryshimet në reformën zgjedhore”



Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume u ka bërë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë për ndryshimet në reformën zgjedhore. Si nismëtar i ‘Aksionit qytetar për reformën zgjedhore’, Kume ka ftuar të gjithë organizatat e interesuara, grupe qytetare, akademikë, specialistë në fushën e legjislacionit zgjedhor, të bëhen bashkë për të qenë aktorë në reformën zgjedhore. “Ne mendojmë se reforma zgjedhore duhet domosdoshmërisht të konsiderohet dhe të zhvillohet si një proces politiko-legjislativ që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja”, - theksoi Kume, duke shtuar se “ne e mirëkuptojmë esencën politike të deklaratës së kreut të maxhorancës, i cili i bën thirrje opozitës të hartoje draftin e amendimeve për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, të cilat maxhoranca është e gatshme t`i pranojë, por nuk mund ta miratojmë atë, si rruga që duhet ndjekur për reformën zgjedhore të radhës”. Sipas tij, përvojat në proceset e kaluara zgjedhore tregojnë se suksesi i zgjedhjeve në vendin tonë, në radhë të parë varet nga niveli i shprehjes së vullnetit të klasës politike jo vetëm për hartimin e një kuadri ligjor në përputhje me standardet dhe në plotësim të parimeve bazë të trashëgimisë zgjedhore europiane, por më shumë se kaq, në respektimin dhe zbatimin e plotë të tyre. Duke iu referuar Kodit zgjedhor, Kume kujtoi se vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas vlerësuan se “përgjithësisht, kuadri ligjor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, një sërë dispozitash duhet të rishikohen në mënyrë që kuadri ligjor të sillet plotësisht në përputhje me angazhimet ndaj OSBE-së dhe standardeve të tjera ndërkombëtare”. “Në pranverën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet për organet e pushtetit vendor. Reforma zgjedhore për pasqyrimin në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të dhëna në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendor, si dhe në plotësim të propozimeve që mund të formulohen nga aktorë të ndryshëm politik e jo politik, si theksohet edhe në Rezolutën e fundit të Parlamentit Europian nuk duhet të jetë rezultat i zgjidhjeve të minutës së fundit. Është koha që ky proces të fillojë”, - theksoi Kume.

20 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›