E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, fletarresti për Presidentin e Sudanit

Gjykata Ndërkombëtare
e Krimeve ka lëshuar
një fletë arresti për
Presidentin sudanez,
Omar Hasan al-Bashir, për krime
lufte në Darfur, një veprim që, sipas
disa analistëve, mund ta destabilizojë
më shumë rajonin. Fletarresti
është i pari i këtij lloji i
lëshuar ndaj një kreu shteti në
funksion nga gjykata me qendër
në Hagë dhe që akuzohet për një
nga gjenocidet më të mëdha të
shekullit të ri, në të cilin kanë humbur
jetën 300 mijë veta që nga viti
2003. Gjykata e ngritur në vitin
2002 i ka bërë Bashir, 65 vjeç, 7
akuza për krime lufte, krime
kundër njerëzimit, vrasje,
përdhunime dhe torturë. Sipas
gjykatës, ekzistojnë të gjitha provat
që vërtetojnë fajësinë e Bashir.
"Viktimat e tij janë civilët që ai
si President duhet t‘i mbronte e
jo t‘u merrte jetën", bën të ditur
shefi i prokurorëve të gjykatës,
duke shtuar se qeveria e Sudanit
është e detyruar që të ekzekutojë
arrestin. "Kjo mund të ndodhë
për dy muaj, apo për dy vjet, por
një gjë është e sigurt, që Presidenti
do të përballet me drejtësinë",
bëri të ditur kryeprokurori. Në
kryeqytetin e vendit, Khartum, u
mblodhën qindra veta për të protestuar
kundër vendimit, ndërkohë
që Bashir i ka hedhur poshtë të
gjitha akuzat e gjykatës, e para
gjykatë e përhershme që merret me
të akuzuarit për krime lufte. "Ne
nuk e njohim vendimin e gjykatës",
ka bërë të ditur zëdhënësi i Presidentit.
Disa orë pas lëshimit të fletarrestit,
Sudani u hoqi licencën e
operimit brenda vendit 6 agjencive
të ndihmave humanitare. Vendimi
i gjykatës mund të shkaktojë një
përkeqësim të situatës në Darfur,
duke dëmtuar bisedimet për paqe,
ndërkohë që vetë Bashir, tepër i
qetë, deklaroi dje se "gjykata mund
ta gëlltisë fletarrestin". Kina, Bashkimi
Afrikan dhe Lidhja Arabe
mendojnë se veprimi i gjykatës
mund ta destabilizojë rajonin dhe
ta përkeqësojë situatën e popullit
të Darfurit. Ndërkohë që sipas zyrtarëve
të gjykatës kanë humbur
jetën që nga viti 2003, 300 mijë
persona, vetë qeveria thotë se
numri i viktimave nuk i kalon të 10
mijtët. Nga konflikti janë zhvendosur
rreth 2.7 milionë veta. Gjithçka
nisi në vitin 2003, kur rebelët
joarabë u ngritën kundër qeverisë.
Ndërkohë, Rusia e ka cilësuar fletarrestin
si një "precedent të rrezikshëm",
ndërsa grupi rebel e përshëndeti
atë, duke e konsideruar
si një "fitore për ligjin ndërkombëtar"
dhe i bëri thirrje Bashirit
që të dorëzohej. Edhe administrata
amerikane e ka mirëpritur,
sikundër kanë vepruar edhe
shumë grupe të të drejtave të njeriut.
Gjykata e Krimeve ka lëshuar
edhe dy fletë arresti të tjera në
vitin 2007 për ministrin sudanez
të Çështjeve Humanitare, Ahmed
Haroun, dhe liderin e Janjaweed,
Ali Abdul Rahman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›