E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Kushte skandaloze në dhomat e paraburgimit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit,
me anë të një raporti të
posaçëm, ka denoncuar gjendjen
skandaloze në të cilën vijojnë të
jenë dhomat e paraburgimit dhe
sallat ku jepen vendimet gjyqësore
në Shqipëri.
Sipas të dhënave të raportit,
monitorimi i kryer për periudhën
tetor-dhjetor 2008, në disa institucione
të paraburgimit si "Jordan
Misja" dhe "Mine Peza" në Tiranë,
por edhe në Berat, Durrës, Vlorë,
si edhe institucionet e ekzekutimit
të vendimeve me burgim "Shën
Koll" Lezhë, Vaqar, Fushë-Krujë,
Krujë, "Ali Demi" në Tiranë dhe
Spitali i Burgjeve në Tiranë, tregon
për kushtet e vështira brenda tyre.
Kushtet fizike të jetesës nëpër këto
institucione dhe kujdesi social e
shëndetësor që u ofrohet të burgosurve
vazhdon të jetë në gjendje
të keqe. Sipas monitorimit, mbipopullimi
ishte një problem
shqetësues pothuajse në të gjitha
institucionet e paraburgimit dhe
institucionet e ekzekutimit të vendimeve
me burgim të vëzhguara
nga KSHH-ja, sidomos në institucionin
e vuajtjes së dënimit
Rrogozhinë, Lushnjë, në institucionin
e paraburgimit Durrës.
Mbipopullimi ishte shqetësues
në sektorin e paraburgimit "Jordan
Misja", Tiranë, dhe në sektorin
e të dënuarve në institucionin
e ekzekutimit të vendimeve me
burgim "Ali Demi", Tiranë. Cilësohet
se infrastruktura e ambienteve
të brendshme dhe të jashtme
të institucioneve dhe
mundësitë që ato krijojnë për një
jetë normale për personat e privuar
nga liria ishin gjithashtu objekt
vëzhgimi. "Thuajse në të
gjitha vendet e vizituara, kushtet
e infrastrukturës nuk ofronin
mundësitë reale për të përballuar
mbipopullimin, për rrjedhojë
nuk respektohej hapësira ose kubatura
që duhet të ketë çdo person
i privuar nga liria. Në IEVP
Rrogozhinë dhe në IEVP Burrel,
në sektorin e paraburgimit, në
një dhomë mund të qëndronin
nga 6 deri në 12 vetë", thuhet në
raport. Një problem shqetësues
mbetet mbipopullimi në Qendrën
Spitalore të Burgjeve, i cili
ndikohet nga fakti se ende në
këtë spital mbahen personat me
probleme mendore, si edhe një
pjesë e personave që kanë nevojë
për kujdes të veçantë. Në disa prej
këtyre institucioneve të vëzhguara,
problem shqetësues ishte
shërbimi stomatologjik.
Mungesa e stafit mjekësor dhe
sanitar të mjaftueshëm ishte një
tjetër aspekt i cili krijonte mbingarkesë
të stafit ekzistues, si edhe
ndikonte drejtpërdrejtë në përballimin
e punës së këtij shërbimi.
Nga ana tjetër, të dënuarit e
kontaktuar nga ky vëzhgim,
shfaqën ankesa në lidhje me procedurat
e shqyrtimit të kërkesave
për lirim me kusht ose ulje të
dënimit. Në lidhje me lirimin me
kusht, parashikuar nga neni 64 i
Kodit Penal, siç rezultoi edhe nga
vëzhgimet në institucione të
ndryshme, ka interpretime të
ndryshme nga ana e gjykatës të
termit "arsye të veçanta".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›