Zjarret shkrumbojnë fabrikën e dy banesa, njëri i qëllimshëm
TIRANE – Dy zjarre të fuqishme shkrumbuan pasditen e djeshme dy banesa private në zonën e Bërrylit dhe, disa orë më vonë, edhe një fabrikë këpucësh në Shkozë të Tiranës. Ngjarja e parë ndodhi rreth orës 17:10, në afërsi të Unazës së Tiranës, kur fillimisht flakët u panë të dilnin nga një banesë përdhese e më pas, për shkak të afërsisë me një tjetër godinë banimi, zjarri është përhapur edhe në banesën ngjitur. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë së Komisariatit Nr.4, si dhe dy makina zjarrfikëse. Fillimisht u bë evakuimi i banorëve e më pas edhe shuarja e zjarrit. Burimet thanë se paraprakisht u dyshua për një zjarr të shkaktuar nga rrjedhje gazi, por pasi u dëgjuan pretendimet e të dëmtuarve, policia nisi hetimet për një zjarrvënie të qëllimshme, madje u shoqërua edhe një i dyshuar. Policia nuk bëri të ditur emrin e personit të shoqëruar për ngjarjen, por mësohet se ai është një banor i zonës ku ndodhi ngjarja, fqinj me dy familjet e dëmtuara nga flakët. Rreth një orë më vonë, rreth orës 18:40, një tjetër zjarr i fuqishëm përfshiu një fabrikë këpucësh në zonën e Shkozës në Tiranë. Zjarrfikësit dhe forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje, duke lokalizuar flakët dhe më pas u arrit shuarja e zjarrit. Nga të dhënat paraprake mësohet se zjarri ka rënë në një makineri, e cila përhap energjinë në pjesët e tjera, që ka shpërthyer duke alarmuar disa punonjës që ndodheshin në atë moment në fabrikë. Punonjësit janë përpjekur ta mbajnë atë në kontroll për rreth 15 minuta, me mjete rrethanore të fabrikës, ndërsa më pas kanë ndërhyrë dy makina zjarrfikëse të cilat kanë lokalizuar vatrën e zjarrit. Burime nga Policia dhe reparti zjarrfikës thanë se përhapja e flakëve përbente rrezik, pasi në afërsi të vendit ku ra zjarri ndodheshin edhe magazinat me këpucë e mallra të tjera, në sasi të konsiderueshme. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka pasur të lënduar, por dëme të konsiderueshme materiale.