Votova me kartë identiteti false në emër të vëllait
Hetimi i sektorit të Antikrimit Ekonomik, karta u përdor më 8 maj 2011.
Tiranë, i afërmi i emigrantit pranon akuzën në Prokurori.
Një person i cili po hetohet për falsifikimin e një karte identiteti në Tiranë, ka pranuar se e ka kryer këtë veprim për të votuar në emër të vëllait të tij që është emigrant në Angli.
Skema e shumëpërfolur e votimit abuziv në një rast të vetëm është ndeshur edhe nga Prokuroria e Tiranës. Bëhet fjalë për një çështje penale, e cila është në hetim nga sektori kundër krimit ekonomiko-financiar. Një person i moshës rreth 40 vjeç ka deklaruar se ka aplikuar për kartë identiteti me emrin, datëlindjen e të dhënat e vëllait që është emigrant në Angli, por me foton e vetë atij. Ditën e zgjedhjeve, ky person ka votuar dy herë, njëherë me emrin e tij dhe një herë me emrin e të vëllait që ndodhet jashtë Shqipërisë. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, personi emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është i moshës 37 vjeç, dhe e ka pranuar vetë falsifikimin. Gjithçka ka ndodhur pasi policia dhe kompania e prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, ALEAT, kanë parë mbivendosje të gjurmëve të gishtave në dy kartat e identitetit. Menjëherë është përcjellë kallëzimi penal në Prokurori me detajet e aplikimit e po ashtu, edhe me identitetin e personit që dyshohet se kishte bërë falsifikimin. Prokuroria menjëherë regjistroi procedimin penal dhe thirri për të marrë në pyetje personin në fjalë. I gjendur para fakteve të dokumentuara, ai pranoi falsifikimin dhe dha shpjegime se përse e kishte kryer këtë veprim. Brenda pak ditëve, ai ka thënë se ka aplikuar për kartë identiteti në emër të tij në mënyrë të rregullt, pasi ka paraqitur edhe certifikatën me të dhënat e sakta të tij. Pa kaluar shumë ditë, ai ka nxjerrë një certifikatë në emër të vëllait dhe me të dhënat e tij, emër, mbiemër, datëlindje etj., është paraqitur dhe ka aplikuar për një kartë të dytë. E bëra për të votuar në emër të vëllait që nuk është në Shqipëri më 8 maj 2011, ka thënë i akuzuari pa treguar nëse ka pasur ndonjë përfitim për votimin dy herë e, po ashtu, pa dhënë shpjegime për kë ka votuar. Ndonëse Prokuroria e Tiranës ka në hetim mbi 100 raste të falsifikimit të kartave të identitetit, ky është rasti i vetëm kur është pranuar dhe provuar që një veprim i tillë i paligjshëm të jetë kryer për të manipuluar në zgjedhje. Skema e paraqitjes me certifikata false dhe aplikimit në emër të personave të tjerë për karta identiteti dhe pasaporta biometrike është tashmë e përhapur gjerësisht. Fenomeni është bërë shqetësues pas liberalizimit të vizave, pasi shtetasit kosovarë blejnë certifikata në emër të shtetasve shqiptarë që ende nuk kanë aplikuar dhe me këto dokumente paraqiten e aplikojnë duke përdorur të dhënat e shtetasve të Shqipërisë, por duke stampuar fotografitë e tyre.
Procedura
Drejtoria e Policisë së Tiranës ka pranuar se ka ndeshur mbi 200 apo 300 raste të falsifikimit të kartave, po jo më shumë se 20-30 raste të falsifikimit të pasaportave. Duke iu referuar këtyre rasteve, mësohet se shumica prej tyre janë kryer nga shtetas kosovarë. Nisur nga ky fakt, që në dhjetor të vitit 2011 Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit urdhëruan ndryshimin e procedurës së aplikimit. Tanimë, kur shtetasi kërkon pajisjen me kartë identiteti pse pasaportë biometrike, më parë duhet të shkojë në komisariatin ose rajonin e policisë që mbulon zonën dhe të japë aty adresën e banimit, numrin e telefonit dhe disa të dhëna të tjera e më pas të marrë një formular me të cilin paraqitet për aplikim.
TRAZHGIM SOKOLAJ