E Shtunë, 31 Tetor 2026

Automjeti me shpejtësi përplas për vdekje kalimtarin e moshuar

TIRANE – Një aksident me pasojë vdekjen e një të moshuari ndodhi pasditen e djeshme në rrugën Dritan Hoxha, pranë pallatit të sportit Asllan Rusi në Tiranë. Policia tha se makina që po lëvizte me shpejtësi nga kryqëzimi i Laprakës në drejtim të rrethrrotullimit të Zogut të Zi, përplasi për vdekje një kalimtar të moshuar, i cili po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Aksidenti ndodhi rreth orës 16:40 dhe në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat e Policisë së Rendit dhe Rrugore, duke rrethuar vendin e ngjarjes. Burimet thanë se kalimtari kishte mbetur i vdekur në vend pas përplasjes nga mjeti dhe menjëherë u transportua drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore. Policia tha se u ndalua drejtuesi i automjetit tip Ford, me targë TR 9244 P, i cili dyshohet se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, në momentin kur ka përplasur kalimtarin. Disa minuta pas ngjarjes, u bë i mundur edhe identifikimi i viktimës nga familjarët e tij, që u paraqitën tek morgu i Tiranës, kur ende nuk kishte nisur të kryhej autopsia. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se viktima është Petrit Sharka, rreth 80 vjeç, i cili në momentin që është përplasur nga automjeti, ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, pranë zonës së njohur si ish-Shkolla e Partisë. Policia ka transportuar automjetin që shkaktoi aksidentin drejt pikës së bllokimit, ndërsa ka ndaluar drejtuesin për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›