E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Turke burgos 15 vetë, Erdogan: Po na nxihet imazhi

TURQI- Gjykata Turke ka burgosur 15 persona, duke përfshirë edhe presidentë klubesh, në lidhje me akuzat për trukime ndeshjesh, në atë që përbën hetimin më të madh në futboll dhe për të cilin kryeministri Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar se po nxin imazhin e Turqisë. Tre drejtues të lartë të klubit të Fenerbahçes, presidenti i klubit Sivaspor dhe trajneri i ekipit Eskisehirspor, janë mes 15 personave që janë dërguar në burg nga Gjykata e Stambollit, bën të ditur agjencia shtetërore Anatolian Neës. Hetimi ka paralizuar gjithë futbollin turk, pasi për një muaj nis edhe kampionati.

Të gjithë presin reagimin e Federatës, e cila duhet të marrë masat e saj, pa pritur përfundimin e çështjes në Gjykatën Penale. Kjo, pasi UEFA kërkon të mësojë skuadrat që do të luajnë në Kupat e Evropës. Nga ana sportive, për klubet e përfshira në skandalin e manipulimeve të ndeshjeve, rreziku është ai i përjashtimit nga kompeticioni, zbritja një kategori më poshtë dhe humbja e milionave dollarëve. Vetëm klubi i Fenerbahçes, që fitoi titullin kampion këtë sezon, ka humbur deri më tani një të tretën e vlerës së tij në treg. Ndërsa në aspektin penal, të gjithë të arrestuarit rrezikojnë dënime të gjata me burgim.

Njeriu më i rëndësishëm i arrestuar nga policia është presidenti i Fenerbahçes, Aziz Jildirim, i cili ndodhet i shtruar në spital, për probleme me zemrën. Por, prokurorët do të merren me të pasi të dalë prej andej. Ndërkohë, për skandalin ka folur edhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, një tifoz i Fenerbahçes.

“Një hetim zhvillohet duke u bazuar në dokumenta dhe informata. Unë shpresoj që ky do të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të mos errësojë dhe shkatërrojë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Erdogan. Mes të burgosurve janë portieri i Sivasporit, një ish-sulmues i kombëtares dhe ish-presidentët e Diarbakirsporit dhe Xhirenusporit. Personat e përfshirë në hetim janë 60, ndërsa një pjesë e tyre janë liruar tashmë. Operacioni po vazhdon në 15 provinca të Turqisë.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›