Fëmijët e ngujuar marrin librat e shkollës nga OJF
SHKODER - Organizata "Kolping" në Shkodër ndihmon fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja në këtë fillim viti shkollor. Çanta, libra e pajisje të nevojshme mësimore u janë shpërndarë 25 fëmijëve të ngujuar, ndërsa është përgatitur një projekt konkret për aktivizimin e tyre. Pjesë e tij është dhe financimi i mësuesve, të cilët sipas projektit të Drejtorisë Arsimore do të japin mësim në shtëpitë e fëmijëve. Si pasojë e ngujimit nga gjakmarrja janë ngujuar në shtëpitë e tyre dhe fëmijë të moshës nga 8-16 vjeç, të cilët kanë braktisur sistemin e detyruar 9-vjeçar për të shpëtuar jetën. Të ndodhur para një fakti të tillë Drejtoria Arsimore Rajonale Shkodër ka kërkuar mbështetjen e donatorëve dhe OJF-ve të ndryshme që operojnë në këtë qark me qëllim minimizimin e këtij fenomeni tek nxënësit e shkollave. "Kolping" ka qenë njëra nga shoqatat që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qarkun e Shkodrës, e cila është treguar e gatshme që të bashkëpunojnë me DAR për vitin 2008, në ndihmë të fëmijëve të ngujuar. Projekti ka nisur fillimisht në fshatin Bardhaj, në periferi të qytetit të Shkodrës si dhe të fëmijëve në zonën e Velipojës. Njëkohësisht, është menduar që këta fëmijë të mblidhen të paktën 1 herë në javë në një nga shtëpitë njërit prej tyre për të biseduar e shkëmbyer lodra apo libra. Kjo iniciativë është përgëzuar nga drejtori i shkollës 9-vjeçare Bardhaj, Fatmir Mehja dhe inspektori i DAR-it, Nexhelko Poja. r.d