Gjykata, burg për prostitutën dhe tutorin që vranë klientin
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata e Tiranës dënoi dje me 9 vite burg 37-vjeçaren që bashkëpunoi për të vrarë klientin e saj. Ndërkohë ndëshkim më i rëndë ka qenë për tutorin e saj, për të cilin u dha vendimi me 25 vite burg për ngjarjen e ndodhur muaj më parë pranë ish-Ambasadës Jugosllave. Gjatë seancës së djeshme trupi gjykues dha vendimin për dy të akuzuarit për vrasjen e Gëzim Shullanit. Avokatët u shprehën se kanë ndërmend të apelojnë vendimin për një masë më të butë ndaj klientëve të tyre.
Ngjarja
Ngjarja për të cilën akuzohet Zenelaj ka ndodhur mbrëmjen e 2 marsit të vitit 2008. Pas një telefonate policia mbërriti në afërsi të ish-Ambasadës Jugosllave dhe gjeti atje trupin e pajetë të një burri rreth të 55-tave. Më pas u mësua se kufoma i përkiste Gëzim Shullanit, 57 vjeç, nga qyteti i Durrësit. Sipas uniformave blu, viktima ishte goditur në kokë më mjete të forta, çka i kishte shkaktuar edhe vdekjen. Në lidhje me këtë ngjarje hipotezat e para ishin për një vdekje të shkaktuar nga ndonjë përplasje. Ndërkohë, pas kërkimeve të mëtejshme burime të Policisë së Tiranës thanë se hetimet ishin përqendruar për të zbuluar një vrasje të mundshme. Nisur nga një dyshim i tillë, efektivat policore nisën të kontaktojnë me familjarët e viktimës për ndonjë konflikt të mundshëm për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.
Zbardhja
Krim me qëllim grabitjen e ka cilësuar Policia e kryeqytetit vrasjen e Shullanit, ndërsa arrestoi dy autorët e dyshuar, një burrë dhe një grua, që së bashku grabisnin klientët. Albana Zenelaj, 37 vjeçe, nga Vlora, luante rolin e një prostitute, por sipas policisë, në të vërtetë, pas aktit seksual ajo grabiste klientët e siguruar prej mikut të saj, Petrit Lazaj, 38 vjeç. Viktima Shullani kishte zgjedhur të qëndronte disa orë me 37-vjeçaren Albana Zenelaj, por ai takim ishte i fundit për të, pasi gjeti vdekjen. Burime nga policia bënë të ditur se dy bashkëpunëtoret e kryenin aktivitetin në afërsi të ish-Ambasadës Jugosllave, në një ndërtesë të braktisur. Pasi e grabitën dhe plaçkitën 57-vjeçarin duke i marrë sendet personale dhe shumën e parave prej 4 mijë lekesh, Lazaj dhe Zenelaj e kanë qëlluar atë me mjete të forta në kokë, duke e lënë të vdekur. Policia ka ngritur ndaj tyre dhe akuzat e “vrasjes me dashje” dhe “ushtrimit të prostitucionit”. Madje më pas u mësua se Petrit Lazaj ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Beratit, e cila, me vendim të datës 14 dhjetor 2007, e kishte dënuar në mungesë me 6 muaj burg për veprën penale të vjedhjes me armë.
28 Tetor 2008