Krerët e Agjencisë së Pronave në hetim për falsifikim dokumentesh
Habjon Hasani
Tiranë - Prokuroria e Tiranës po heton krerët më të lartë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas denoncimit të bërë disa javë më parë lidhur me zaptimin e më shumë se 40 hektarëve troje në Spille, një zonë fare pranë bregdetit. Disa javë më parë në prokurori kanë ardhur denoncimet lidhur me procesin antiligjor që po zhvillohej për falsifikimin dhe tjetërsimin e pronësisë mbi këtë sipërfaqe të konsiderueshme toke. Menjëherë prokurorët kanë bërë sekuestron e të gjitha materialeve lidhur me këtë sipërfaqe si në institucionin e AKKP-së, ashtu dhe në Hipotekë. Mësohet se prokurorët kanë mundur të faktojnë paraprakisht të vërtetojnë se një tokë në pronësi të pastër shtetërore është shndërruar në një “pronë private” si pasojë e një procesi kryekëput falsifikimesh. Jo pak, por më shumë se 40 hektarë tokë i janë kaluar me dokumente false një familjeje të vetme, ndërsa një zinxhir i tërë zyrtarësh ka firmosur dhe ka dhënë dritën jeshile për këtë kalim të paligjshëm pronësie. Prokurorët mendojnë se kanë të bëjnë me një aksion të mirorganizuar falsifikimi, ndërsa në të janë përfshirë dhe zyrtarë nga më të rëndësishmit të AKKP-së. Ndërsa është faktuar në mënyrë shkencore procesi i falsifikimit, prokurorët po punojnë për të parë nëse ka pasur ndonjë suport nga të tjerë zyrtarë për organizimin e kësaj skeme të vjedhjes së trojeve shtetërore nëpërmjet falsifikimit.
Falsifikimi
I gjithë procesi i falsifikimit dhe i depozitimit të dokumenteve false është udhëhequr nga një grup shumë i kufizuar personash. Madje të gjithë procedurën e ka zhvilluar një zyrë avokatie, ndërsa në hetim është aktualisht dhe avokati D. R., i cili është një nga drejtuesit e zyrës në fjalë. Gjatë hetimeve prokurorët kanë mësuar se disa punonjës të AKKP-së kanë firmosur dokumente të ndryshme antiligjore me “urdhër nga lart” ndërsa pjesë e zinxhirit të falsifikimeve janë bërë dhe krerë të këtij institucioni. Nuk ka qenë e vështirë për prokurorët të faktonin se gjithë dokumentacioni(për kalimin në pronësi private si trashëgimi) ka qenë i falsifikuar, pasi zona ku ndodhen trojet në fjalë ka qenë territor i rëndësishëm ushtarak dhe për të ekzistonin dokumente origjinale dhe autentike të cilat vërtetonin se kjo zonë nuk ka qenë asnjëherë pronë e asnjë individi apo familjeje, sikurse u përpoqën të “vërtetonin” nëpërmjet falsifikimeve personazhet që po hetohen nga prokuroria.
Dyshimet
Pasi është sinjalizuar për zhvillimin e këtij hetimi, “Albania” është interesuar për zhvillime të tjera lidhur me këtë ngjarje. Edhe pse në dukje shëmbëllen një falsifikim tipik pronash, sipërfaqja e madhe dhe falsifikimi “në dritën e diellit” duket se ngre dyshime të forta se pas familjes që kërkoi kthimin e pronës, avokatëve që e përfaqësuan këtë familje dhe zyrtarëve të AKKP-së fshihen personazhe të rëndësishëm dhe të pushtetshëm. Megjithatë, prokuroria është duke hetuar në detaje zhvillimet dhe të dhënat e kësaj historie të rëndë falsifikimi dhe korrupsioni për të zbuluar dhe personazhe që mund të kenë orkestruar në hije këtë vjedhje pronësie.
28 Tetor 2008