Kokaina ne canten e studentes çon në pranga edhe dy të tjerë
TIRANË – Rishfaqja e tregut të drogës në linjën e Kapshticës ka sjellë në pranga edhe dy persona të tjerë pas arrestimit në kushtet e flagrancës të një studenteje, së cilës iu gjetën më shumë se gjysmë kilogram kokainë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Çanta e dorës” janë arrestuar shtetasit Aurora Liço, 21 vjeçe, Ilia Naslazi, i njohur me emrin Arben Naslazi, si dhe Pandush Naslazi, i njohur me emrin Fredi Naslazi, që të tre banues në Korçë. Fillimisht është prangosur studentja e Universitetit të Korçës dhe më pas dy të tjerët. Ajo është kapur në Pikën e Kalimit të Kapshticës të dielën pasdite me një sasi prej 614 gr lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë, kur po tentonte të kalonte drejt vendit fqinjë. Me hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje po merren strukturat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Arrestimet
Sasia e kokainës që po tentohej të futej në Greqi nga një studente ka çuar në arrestimin e dy personave të tjerë, bashkëqytetarë me 21-vjeçaren Liço. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, shtetases Aurora Liço në momentin që do të kalonte kufirin shtetëror me një makinë me targa të Fierit i janë sekuestruar 614 gr lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë. Lënda narkotike ishte e futur në çantën e dorës. Pas bllokimit të sasisë së drogës nisën hetimet për gjetjen e autorëve të tjerë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit u bë e mundur që të arrestohen edhe shtetasit Ilia Naslazi, 46 vjeç, lindur e banues në Korçë, i njohur me emrin Arben Naslazi dhe i afërmi i tij Pandush Naslazi, 36 vjeç, i njohur me emrin Fredi Naslazi. Nga të dhënat e para dyshohet se këta dy shtetas kanë qenë organizatorët e këtij trafiku drejt shtetit fqinj.
Hetimet
Zbulimi i sasisë së kokainës ka ngjallur dyshime për një rrjet trafiku. Kjo ka qenë arsyeja që ky rast të kalojë për hetime te Prokuroria e Krimeve të Rënda. Marrja në pyetje e studentes së vitit të dytë në degën e mjekësisë, në Universitetin e Korçës, Aurora Liços, ka çuar në zgjerimin e rrethit të hetimit dhe më pas në arrestimin e dy autorëve të tjerë. Tashmë policia e qytetit juglindor, e ndihmuar edhe nga strukturat e tjera, ka nisur punën për zbardhjen e rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogave të forta.
Gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit 2007, janë shënuar disa raste të trafikimit të heroinës përmes aksit Tiranë-Elbasan-Porgadec-Kapshticë dhe më pas drejt Greqisë. Me dhjetëra kg drogë e llojit heroinë dhe kokainë është bllokuar dhe sekuestruar nga policia e shtetit, si dhe janë prangosur shumë persona në lidhje me këto tentativa të trafikut. Ekspertët e policisë së shtetit e përcaktuan këtë si një nga linjat më të përdorshme për trafikun e heroinës drejt Greqisë. Pas disa muajsh, rishfaqet sërish rasti i trafikut të drogave të forta nga Korça në vendin fqinj.
TË ARRESTUARIT
Aurora Liço, 21 vjeçe, lindur e banuese në Korçë, studente e vitit të dytë në mjekësi
Ilia Naslazi, 46 vjeç, lindur e banues në Korçë, i njohur me emrin Arben Naslazi.
Pandush Naslazi, 36 vjeç, lindur e banues në Korçë, i njohur me emrin Fredi Naslazi
28 Tetor 2008