E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Tomorr Alikon me urdhrin “Naim Frashëri” i artë



TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi dje, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dhe autorin e librit “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist", Tomor Aliko me Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin përkatës me motivacionin: "Për qëndresën kundër diktaturës komuniste dhe kontributin e vyer në evidentimin e publikimin e krimeve të saj ndaj kundërshtarëve politikë, veçanërisht ndaj elitës intelektuale të kombit". Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë, Tomorr Aliko, duke falenderuar Presidentin Topi për dekorimin, u shpreh mes të tjerave, "Qëllimi kryesor i veprave të mia është vetëm evidentimi i krimeve të komunizmit dhe kësaj ia kam arritur me disa libra, me dy ekspozita, me filmin e fundit "Genocid mbi elitën e kombit shqiptar" dhe jam shumë i kënaqur që kam arritur këtë ditë sot. Megjithatë me gjithë moshën që kam të kaluar premtoj se në qoftëse do të kem jetë, kam për të bërë dhe një ekspozitë e cila do të mbetet e paharruar".

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›