E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e imamit të Gostivarit. Të pandehurit: Autorët po shijojnë paratë në liri”



Laureta Rryçi

Tiranë - Zhdukja e imamit të Gostivarit gjashtë vite më parë ende nuk ka një vendim të formës së prerë që përcakton edhe autorët e vërtetë të ngjarjes. Ditën e djeshme, të gjithë të akuzuarit për këtë ngjarje kanë qenë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda për të kundërshtuar vendimin e muajve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë që i dënoi me 78 vite burg. Të pandehurit jo vetëm nuk e pranojnë akuzën, por dje ia kanë lënë përgjegjësinë për këtë ngjarje Mezin Bexhetit dhe Agim Bilalit, dy personazhe që kanë dalë edhe gjatë hetimit të prokurorisë, mirëpo dëshmitë e tyre kanë qenë provë për të arrestuar këta të pandehur. Gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesit e akuzës kanë kërkuar dënim më të ashpër për ta. Ndërsa avokatët kanë rikthyer edhe një herë pretendimet e tyre se autorët e vërtetë po shijojnë paratë që u morën për pengun që nuk u kthye kurrë. Pritet që Kolegji Penal i Apelit të shprehet me vendim pas tri ditësh për këtë çështje.
Vendimi
Kur dosja ishte për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, akuza kërkoi dënimin e të pandehurit Masar Meli me 17 vjet burg; për të pandehurin Korab Meli dënimin me 15 vjet; për të pandehurin Nagip Musliu dënimin me 13 vjet; për të pandehurin Beqir Shahu dënimin me 12 vjet; për të pandehurin Basri Shahu dënimin me 11 vjet burg dhe për të pandehurin Shkëlqim Palushi dënimin me 10 vjet burg. Sipas akuzës është provuar me dëshmi dhe prova se imami i Gostivarit është mbajtur peng për disa ditë në territorin shqiptar, një herë në një fshat të Krumës dhe më pas në fshatin Bardhoc të Kukësit. Përveç të pandehurve të arrestuar, në këtë pengmarrje janë implikuar edhe një numër jo i vogël personash, të cilët pas rrëmbimit të imamit Irfan Idrizi, në dhjetor të vitit 2002, kanë dalë në skenë duke u marrë “ndërmjetësve” 500 mijë euro për lirimin e pengut.

Dëshmitë
Sipas Prokurorisë, dy kushërinjtë e Irfan Idrizit, Mezin Bexheti dhe Agim Bilali, kanë qenë dëshmitarët që kanë bërë të mundur zbulimin e të gjithë skandalit të pengmarrjes që ishte zhvilluar prej kohësh nga qyteti i Gostivarit deri në qytetin e Kukësit. Sipas dëshmisë së tyre, grupi që ka marrë peng Idrizin është i përbërë nga disa persona, disa prej të cilëve punonjës në organin e drejtësisë së qytetit të Kukësit. Dy kushërinjtë janë përballur me personat që i kanë marrë shumat e kërkuara, por që nuk u kanë dhënë në këmbim të afërmin e tyre. Njëri prej tyre tregon se si përfundoi për 12 ditë peng në duart e atyre personave. Sipas dëshmisë së Bexhetit, ka qenë koha e keqe në favor të tij që nuk ka përfunduar në Itali pas dorëzimit të 500 mijë eurove. Bexheti ka qenë i vetmi që ka parë pengun. Sipas tij, 40-vjeçari ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore në kohën kur e ka takuar. Ndërsa Agimi, edhe pse ka pasur shumën e eurove më të madhe për t‘ua dhënë pengmarrësve, përsëri nuk ka pasur mundësi ta shikojë kushëririn e tij që ishte prej disa muajsh peng.

Box
Ngjarja
Më 2 dhjetor të vitit 2002, disa persona të paidentifikuar rrëmbyen në Gostivar myftiun e këtij qyteti, Irfan Idrizi. Pas disa ditësh, ata telefonojnë familjen e tij dhe i kërkojnë në këmbim të të afërmit të tyre 500 mijë euro. Por, edhe pse u pagua kjo shumë, pengu nuk u la i lirë. Shuma e marrë nga grupi i pengmarrësve shkoi deri në 1 milion euro. Zhdukja e Imamit të Gostivarit është përfshirë si dosje në drejtësinë shqiptare që në vitin 2003. Fillimisht me këtë çështje u mor Prokuroria e Shkodrës dhe më pas, për shkak të rëndësisë, dosja kaloi për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Menjëherë u prenë fletarrestet për gjashtë persona. Midis tyre edhe një zyrtar i Prokurorisë së Kukësit. Pengu është parë për herë të fundit nga Mezim Bexheti në një prej kontakteve të tij me pengmarrësit. Që prej asaj dite, askush nuk ka dëgjuar dhe di gjë për vendndodhjen e tij apo nëse është gjallë. Në dëshmitë e dy personave nga Gostivari, kushërinj të Irfan Idrizit, përmenden shumë emra personash, në vende të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin Gostivarit, Kosovës dhe Kukësit.

Kronologjia e ngjarjes

2 dhjetor 2002
Merret peng në Gostivar Irfan Idrizi, myftiu i këtij qyteti dhe vëllai i tregtarit të njohur Gajur Idrizi. Për disa ditë me radhë për të nuk ka asnjë adresë.

13 shkurt 2003
Ndërmjetësi Mezin Bexheti udhëton për në Shqipëri, i shoqëruar nga dy prej pengmarrësve. Në këtë udhëtim ai shikon për herë të fundit gjallë Irfan Idrizin.

19 shkurt 2003
Zhvillohet një takim tjetër mes Mezin Bexhetit si ndërmjetës dhe pengmarrësve. Këtë herë u vendos për detajet e dorëzimit të lekëve dhe lirimit të pengut.

7 prill 2003
Agim Bilali rifillon negociatat, me të tjerë persona, që mund ta ndihmonin. Ishin dorëzuar 500 mijë euro mirëpo nuk ishte liruar Irfan Idrizi.

15 dhjetor 2003
Pas deponimit më 30 maj të këtij viti në polici të Agim Bilalit dhe të Mezin Bexhetit arrestohen në Kukës tre persona, që dyshohet të kenë lidhje me rrëmbyesit.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›