Gjykata, burg trafikantëve të veprave të artit
BERAT – Gjykata e Beratit la dje në burg dy të dyshuarit si trafikantë të veprave të artit, Mirel Starova dhe Bujar Dine. Në seancën që zgjati rreth 30 minuta, trupi gjykues dha vendimin e tij “burg pa afat”, duke i hapur rrugë prokurorisë në hetimin e mëtejshëm të veprës së konsumuar prej tyre. Ndërsa ish-drejtori i Muzeut në Beratit, Sami Starova, do të hetohet në gjendje të lirë. Burime nga gjykata bënë të ditur se Mirel Starova dhe Bujar Dine kanë pranuar para trupit gjykues se sendet e sekuestruara ditën e arrestimit ata do t’i shisnin gjatë aksit nacional Lushnjë- Fier. Ata nuk kanë bërë të ditur se me çfarë çmimi do t’i shisnin këto vepra që konsiderohen si trashëgimi kombëtare. Dyshohet se ato janë zhdukur gjatë trazirave të vitit 1997. Megjithatë, fjalën e fundit do ta thonë ekspertët përkatës, pasi të bëhet më parë inventarizimi në muze. Mësohet se dy të arrestuarit nuk kanë deponuar të dhëna të tjera për trafik të mundshëm të veprave të vjedhura drejt Turqisë. Ky shtet dyshohet të jetë më i mundshmi për trafikun e këtyre veprave, edhe për shkak të shtetësisë së njërit prej të arrestuarve, 41-vjeçarit Dine. Paraprakisht, ekspertët bëjnë të ditur se këto vlera si panorama, piktura, ikona të ndryshme antike, statuja të gdhendura në gurë, monedha etj, dyshohet të jenë me vlera trashëgimie kulturore dhe se kanë qenë pjesë e muzeut. Sami Starova, 63 vjeç, djali i tij, Mirel Starova, 30 vjeç dhe Bujar Dine u arrestuan tre ditë më parë gjatë një operacioni policor në aksin Lushnjë – Fier, në tentativë për të shitur materialet me vlera kulturore që dyshohet se janë vjedhur në vitin ’97. d.xh