“Darfo”, me dosje dhe në Burrel
BURREL/ HASAN PASHA
Një prej të arrestuarve në Elbasan për abuzime në uzinën e Ferrokromit në këtë qytet, Tonin Gjonaj, është në gjykim në Burrel për shpërdorim detyre. Derdhja e llavës në një prej furrave të UFK-së Burrel, që shkaktoi plagosjen e 3 punonjësve, çoi para përgjegjësisë specialistin e “Darfo”-s, si dhe ish-përgjegjësin e UFK-së, Hasan Dervishi. Prej 20 muajsh ata hetohen nga Prokuroria e Matit për shpërthimin e një furre, ngjarje e ndodhur më 16 prill 2008, ku mbetën të plagosur metalurgët Simon Menga, Ahmet Salia dhe Nikolin Picaku. Prokuroria e Matit ka përfunduar ditët e fundit hetimet dhe i ka kërkuar Gjykatës së Rrethit shpalljen fajtor të Tonin Gjonajt për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, duke kërkuar për të 6 muaj heqje lirie dhe 300 mijë lekë gjobë. Po ashtu prokuroria kërkoi shpalljen fajtor dhe të ish-përgjegjësit të UFK-së, Hasan Dervishi, dhe dënimin e tij me 6 muaj burg për “shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë”. Dje ishte parashikuar dhënia e vendimit përfundimtar nga Gjykata e Burrelit, por mungesa e Gjonajt bëri që trupi gjykues të kërkojë ardhjen e tij në seancën e radhës. Sipas gjykatës, duhet një vendim zyrtar dhe me shkrim për arrestimin e Gjonajt nga policia e Elbasanit. Seanca e ardhshme pritet që të zhvillohet më 26 nëntor. Gjonaj është një prej 4 të arrestuarve në aksionin e mbrëmjes së 16 nëntorit në Elbasan, pasi prokuroria e rrethit i akuzoi për vjedhje në bashkëpunim gjatë funksionit që kishin në ‘Darfo’, firmën italiane që mori me koncesion Ferrokromin në Elbasan. Veç Gjonajt u arrestua ish-administratori Eduard Belegu, Artur Belegu dhe Fatos Pengu. Pas këtij lajmi nga Elbasani, ku sipas akuzës ata kanë përfituar 6.5 milionë euro, kanë reaguar metalurgët e Burrelit. Ata thonë se nuk është ky abuzimi kryesor nga drejtuesit e firmës italiane “Darfo”, por ajo duhet hetuar për milionat e vjedhur në minierën e kromit Bulqizë dhe UFK-në Burrel. Sipas tyre, dhe në Burrel del emri i administratorit Eduard Belegu, i cili nisi që në vitin 2003 punën, por që vetë metalurgët janë dëshmitarë të abuzimeve dhe vjedhjeve të kryera aty.
Prifti: Nuk isha ne dijeni
Kreu i Ministrisë së Ekonomisë Dritan Prifti nuk ka qenë në dijeni se ish-këshilltari i tij Eduard Belegu, ishte në hetim nga prokuroria. Kështu është shprehur në një prononcim për mediat ministri Prifti. Vetëm pak ditë më parë Sektori i Krimit Ekonomik dhe i Krimit të Organizuar në policinë e Elbasanit arrestuan këshilltarin e ministrit të Energjetikës, Eduard Belegu, i cili në periudhën e abuzimeve të kryera ka pasur detyrën e administratorit të kësaj kompanie. Pas arrestimit të këshilltarit të Ministrisë së Energjetikës reagoi METE. Në një deklaratë për media thuhej se: “Ministri Dritan Prifti u njoh me vendimin e Gjykatës së Elbasanit për arrestimin e Eduard Belegut, këshilltar për minierat. Për t’i hapur rrugë hetimeve, ministri urdhëroi lirimin e tij nga detyra”.