E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prona private, si do të bëhet regjistrimi dixhital i 500 mijë pasurive



Ervin KOÇI - Qeveria do të nisë shumë shpejt nga regjistrimi elektronik i rreth 500 mijë pronave të patundshme në të gjithë vendin. Këto prona, pasi janë fotografuar nga fotografimet ajrore satelitore, do të hidhen që të gjitha në një regjistër elektronik që do të jetë në administrimin e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme. Sipas ZQRPP-së, regjistrimi fillestar ka nisur në disa zona kadastrale të qyteteve kryesore si Tirana dhe Durrësi pasi ka përfunduar përgatitja e hartës dixhitale topografike dhe topogjeodezike. Sipas të dhënave janë mbi 500 mijë pasuri të paluajtshme të cilat kanë nisur të hidhen në kompjuter dhe ndryshe nga regjistrimet e tjera të kryera ndër vite, këtë herë do të kenë si bazë hartën topografike. Sipas ZQRPP-së, regjistrimi elektronik për këto pasuri të paluajtshme do të kryhet falas nga shteti, por qytetari duhet të bashkëpunojnë me kompaninë për t’i dhënë dokumentacionin që nevojitet për të saktësuar pasurinë. Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme do të nxjerrë në pah edhe gabimet teknike të deritanishme, apo mbivendosjet e kryera ndër vite.

Procedurat

Sipas ZQRPP-së për regjistrimin e një prone dhe për bërjen e saj të vlefshme nevojiten një sërë dokumentesh. Të rëndësishme cilësohen të gjitha dokumentet e pronësisë të lëshuara nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga komisionet e kthimit e kompensimit të pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht, si dhe të gjitha dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie apo me vendim gjykate. Sipas procedurave të reja, individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim, shtojnë më tej specialistët dhe ekspertë e projektit të BB-së dhe ZQRPP-së.

Njohja e pronës

Pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar nis përgatitja e kartelës së pasurisë së paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në hartën treguese të regjistrimit. Është shumë e rëndësishme që secili pronar të verifikojë saktësinë e kartelës dhe të hartës treguese të regjistrimit të pronës gjatë procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Më pas, informacioni i regjistruar në kartelën e pronës dhe harta treguese e regjistrimit afishohen publikisht nga në një ambientet brenda zonës kadastrale dhe rrinë të afishuara për 45 ditë me radhë. Ky moment cilësohet si shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Pas këtij afati gjithçka do të kryhet përkundrejt pagesave. Në rast se ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së afishimit publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një kërkesë me shkrim te personi i autorizuar nga kompania për afishimin publik ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi, qoftë edhe një shkronjë në emër që mund të jetë vënë re. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet edhe dokumentacioni që vërteton pretendimin e secilit. Brenda periudhës 45-ditore të afishimit duhet që sërish pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara. Pas periudhës 45-ditore vjen çasti që gjithsecili merr dokumentin që e bën pronar. Në këtë rast, për pasuritë që nuk kanë pasur pretendime ose që pretendimet janë zgjidhur, jepet certifikata për vërtetim pronësie dhe poseduesit e të drejtave të tjera reale të pasurisë (qira, hipotekim, servitude) pajisen me certifikatën përkatëse.

Përzgjedhja e kompanisë

Përzgjedhja e kompanisë, si fituese për regjistrimin e 50 zonave kadastrale, u bë pas një tenderi ndërkombëtar të organizuar nga ZQRPP, me miratimin e Bankës Botërore. Ndërsa përzgjedhja e zonave që do t’i nënshtrohen projektit të regjistrimit të tyre fillestar, u përzgjodhën nga një grup ndërministror, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë. Organizimi i këtij tenderi është pjesë e Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës, i iniciuar nga qeveria shqiptare dhe i financuar nga Banka Botërore. Ndërkohë, si pjesë e këtij projekti të financuar nga Banka Botërore, një tjetër kompani është duke punuar për regjistrimin fillestar të rreth 120 mijë pasurive të tjera, në 22 zona kadastrale, përfundimi i të cilave pritet të ndodhë në maj të vitit 2011. Në Shqipëri po ndërtohet sistemi i ri i regjistrimit të pasurive të paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme nën drejtimin e kryeregjistruesit të Shqipërisë.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›