E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet me 84 vota në axhendën e Kuvendit, pritet reagimi i opozitës



Në axhendën e punimeve të Kuvendit është parashikuar miratimi i një sërë ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar ose 84 vota. Nuk dihet ende se cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të Partisë Socialiste në lidhje me votimin ose jo të këtyre projektligjeve. Pritet që kjo të shihet gjatë procesit të votimit të tyre. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë, Grupi Parlamentar i PS-së mori vendimin politik për të mos miratuar asnjë nga ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, deri në zgjidhjen e plotë të çështjesh që lidhet me hetimin e procesit zgjedhor.
Rendi
Ndërkaq, në rendin e ditës së seancës së djeshme parlamentare ishin parashikuar 20 pika për diskutim. Midis tyre parashikohej miratimi i ndryshimeve në 7 Kode, të cilat kërkojnë 84 vota. Kështu, në rendin e ditës është parashikuar miratimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal i Republikës së Shqipërisë”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”; projektligji “Për një ndryshim në Kodin Hekurudhor të Republikës së Shqipërisë”; projektligji “Për disa ndryshime në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë”; projektligji “Për një shtesë në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë”, si dhe projektligji “Për një ndryshim në “Kodin Detar i Republikës së Shqipërisë”. Miratimi i ndryshimeve në këto kode kërkon medoemos votën e opozitës.
Diskutimet
Ndërkaq, deputetët kanë diskutuar gjatë, jo vetëm për heqjen nga rendi i ditës së ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, por edhe për pikat e tjera të rendit të ditës. Kështu, deputetët e maxhorancës dhe ata të opozitës kanë debatuar gjatë për projektligjin për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit. Deputeti socialist Ilir Beqja gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme, për këtë ligj, kundërshtoi tarifën e parashikuar nga qeveria prej 6 mijë lekësh të reja, për marrjen e një pasaporte biometrike. Ndërsa, deputeti Ditmir Bushati citoi raportet e ndërkombëtarëve për punën e bërë nga qeveria për këtë çështje. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, i cili akuzoi PS-në, si bllokuese të procesit të liberalizimit të vizave për shqiptarët. Ai tha se nisma e qeverisë për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike është e suksesshme dhe është plotësim i kushteve për përfitimin e liberalizimit të vizave. Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës, dhe që ka nxitur debate mes deputetëve, ka qenë projektligji për miratimin e ndryshime në ligjin për Arsimin e Lartë. Deputetët e opozitës reaguan edhe për këtë pikë, duke kundërshtuar ndryshimet e propozuara nga qeveria. Sipas tyre, nuk mund të vihet me detyrim dhënia e provimit të Toeflit, për mbrojtjen e gjuhës angleze, për ndjekjen e studimeve master. Madje, sipas socialistëve qeveria përmes ndryshimeve të propozuara, synon të heqë autonominë e universiteteve. Në rendin e ditës është parashikuar miratimi i ndryshimeve në ligjin e pronave. Ndryshimet në këtë ligj janë hartuar nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj dhe janë kundërshtuar ashpër nga deputetët e opozitës, si dhe nga grupet e interesit. Opozita në Komisionin e Ligjeve e ka cilësuar amendamentin e Alibeajt në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Një tjetër ligj i rëndësishëm i parashikuar në rendin e ditës është ai për ngritjen e gjykatës administrative. Ky është një ligj i rëndësishëm që kërkon shumicë të cilësuar votash, por për të cilin opozita ka rezervat e veta dhe pritet propozimi i amendamenteve për përmirësimin e këtij drafti. Një tjetër pikë e parashikuar është zhvillimi i një interpelance me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Kjo inteperlancë është kërkuar nga deputeti socialist Ditmir Bushati.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›