E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha, ose hap kutitë, ose do të ikësh me gjithë kutitë!”



Pak orë përpara fillimit të protestës 3-ditore të opozitës në Tiranë për hapjen e kutive të votimit, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Sali Berisha. Dje në mbrëmje Rama i ka bërë të qartë kreut të qeverisë se nëse nuk hapen kutitë e votimit, “populli opozitar do ta detyrojë të largohet bashkë me kutitë”. Kryesocialisti i ka vlerësuar qëndrimet e shprehura në Kuvend nga kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri Meta si “shfaqje të vulgaritetit”. Sipas tij, thirrjet e tyre në sallën e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike (Kuvendit), përbënin vetëm një përpjekje të ngutur për të shkurajuar protestën e sotme dhe përshkallëzimin e aksionit opozitar për mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri. “Kam disa fjalë për t’i thënë Sali Berishës përpara sesa nesër, pasnesër, pas pasnesër, t’i dëgjojë të gjitha ato që duhet nga populli i opozitës. E para, të të vijë turp që akuzon opozitën e mua personalisht se nuk duam Europën, nuk duam vizat, nuk duam integrimin, sepse si fillim, deri në moshën time, i ke shërbyer përulësisht diktaturës komuniste, madje je angazhuar dhe ke marrë pjesë në persekutimin e internimin e njerëzve të pafajshëm”, - kanë qenë akuzat e ashpra të bëra nga Rama. Kryesocialisti e ka akuzuar kryeministrin se kur Shqipëria ishte në rrugën e integrimit në NATO dhe BE, e çoi në humnerën e piramidave, duke e vonuar një dhjetëvjeçar rifillimin e rrugës së saj drejt NATO-s e BE-së. “Sot je përgjegjësi kryesor për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë që ka mbetur e fundit në Europë, qoftë për heqjen e vizave, që na e kaloi edhe Serbia, qoftë edhe për aplikimin për t’u bërë kandidat, ku kemi mbetur bashkë me Serbinë. Sepse Serbia ka kriminelë lufte të padorëzuar, kurse ne të kemi ty në krye të një qeverie të kthyer në kompani fitimprurëse për familjen tënde e për oborrin e shërbëtorëve të tu”, - ka nënvizuar Rama. Sipas tij, për opozitën dhe Partinë Socialiste në veçanti, as Berisha dhe aq më pak Ilir Meta, mund të hapin gojën, përveçse për të pranuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në integrimin e Shqipërisë në NATO, pa llogaritur këtu gjithë atë punë rindërtuese të Shqipërisë, që sundimi i parë i Berishës e rrafshoi në zero në vitin 1997. “E dyta, të të vijë turp që vazhdon dhe u tregon shqiptarëve broçkulla për gjykatën, që s’të lejuaka të hapësh kutitë dhe për atë mikun e ‘huaj’, që të ‘paska’ thënë: ‘Sali, në asnjë mënyrë kutitë, se nuk të lë gjykata’! Me siguri, protesta opozitare për hapjen e kutive të ka bërë të shohësh ëndrra me miqtë e huaj, që të thonë atë që të pëlqen të dëgjosh dhe pastaj ëndrrat e tua ia tregon Parlamentit të kthyer në kuti të mbyllur. Por është e sigurt që kërkesa jonë për hapjen e kutive s’ka asnjë lidhje me gjykatën dhe me vendimet e gjykatës”, - ka theksuar Rama.
Mashtrimi
Kreu i PS-së i ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit duke i kërkuar të mos kapet pas “mikut të huaj” që ka parë në ëndërr, por të hapë kutitë përpara sesa populli sovran ta detyrojë të largohet bashkë me kutitë. Kryesocialisti nuk ka ngurruar ta akuzojë Berishën se sa më shumë plaket, aq më shumë gënjen e abuzon me të vërtetën. “Ka të ngjarë të më ngatërrosh me veten, por asnjëherë nuk kam sharë një njeri të familjes tënde. Sigurisht, kam thënë dhe e them, e do ta them përsëri: që interesat ekonomike e financiare të familjes tënde diktojnë qeverisjen e vendit më shumë se interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi. Kjo është diçka e provuar, që provohet përditë e më shumë, e që e gjithë Shqipëria e ka mësuar dhe e mëson çdo ditë, jo falë fjalëve të mia, por falë bëmave të tua. Prandaj, të jemi të qartë që dallimi i qartë mes teje e meje, është se ti u plake duke u marrë me gratë, me vajzat, me motrat, me djemtë, me nipërit, me kushërinjtë e kundërshtarëve të tu, ndërsa unë merrem me konfliktin e përbindshëm të interesit ku ti e ke futur qeverisjen e vendit, duke e parë vendin në funksion të interesave të familjes tënde”, - ka nënvizuar Rama.
Bashkiakët
Në pozicionin e kryebashkiakut të Tiranës, Rama nuk ka ngurruar të akuzojë kryeministrin se po kërcënon kryebashkiakët opozitarë, me të cilët ka një llogari të hapur publikisht dhe që e pret që nga e hëna e ardhshme një betejë qytetare. “Uroj ta shmangësh në kohë, duke plotësuar të 5 kërkesat e apelit tonë publik. Që ta dëgjojnë shqiptarët, një nga mijëra shembujt e karakterit gjigantoman të gënjeshtrave të tua, po u them se: Bashkia e Tiranës nuk ka administratë me 4200 punonjës, por vetëm 385 nëpunës në administratë. Megjithatë, kemi një kapitull të posaçëm të protestës tonë, ku do të përballim publikisht me katrahurën antikushtetuese, antiligjore, antidemokratike, antiqytet, që ka shkaktuar vizioni yt qorr dhe politika jote primitive për zhvillimin urban e rural të këtij vendi”, - ka nënvizuar Rama. Sipas tij, kjo qeveri që në gjuhën migjeniane do të quhej, pa asnjë gajle, “pushtet derrash të kënaqur”, arriti një pikë kulmore të marrëzisë, që e karakterizon përditë e më shumë, duke e përdorur si një derrkuc miop ministrin e Shëndetësisë, që vetëm e vetëm prej frikës që nuk arrin ta fshehë nga protesta e nesërme, e pasnesërme, e paspasnesërme, u nxor të bënte lidhjen idioteske mes protestës së opozitës dhe rrezikut të përhapjes të gripit të derrit. Rama ka nënvizuar se ky është niveli i badërdisë mendore në të cilën është katandisur qeveria e dalë nga zgjedhjet e vjedhura.
Protesta
Kreu i PS-së ka sqaruar se “protesta e sotme e opozitës është protesta e Shqipërisë, që nuk jeton brenda oborrit të familjes së Sali Berishës, që nuk ushqehet në tryezën e pasur të familjes së oborrit dhe oborrtarëve të familjes dhe që nuk pranon të dorëzojë vetveten në duart e diktaturës së korrupsionit që në qoftë se lejohet të instalohet përfundimisht me votat e vjedhura më 28 qershor, do të duhet ta mbajmë mbi kurriz në një kohë të pallogaritshme”. Sipas tij, këtë Shqipëria e popullit të shumicës nuk e lejon, nuk mund ta lejojë, nuk do ta lejojë. “Protesta do të jetë një manifestim i madh, paqësor e qytetar, do të jetë një shprehje e jashtëzakonshme e frymës demokratike dhe demokratizuese që karakterizon këtë opozitë, që është shumica e shqiptarëve dhe që pa asnjë dyshim nuk e sheh veten të ndarë nga ajo pjesë tjetër shqiptarësh që e votuan Sali Berishën për çka u tha, dhe sot jetojnë në një regjim të keqqeverisjes dhe korrupsionit, sepse Sali Berisha tjetër thotë e tjetër bën”, - ka qenë apeli i Ramës.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›