E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Apelit rrëzon ankimin e familjes Mulliri

Korçë Pranohet vetëm kërkesa për të ndjekur seancat gjyqësore

Gjykata e Apelit në Korçë ka rrëzuar kërkesën e babait të tre djemve të vrarë në fshatin Vidohovë për kundërshtim të dënimit të butë të dhënë ndaj vrasësit. Por kancelari i Gjykatës së Apelit në Korçë nuk thotë se kërkesa për apelim të çështjes është rrëzuar, por se kjo kërkesë është pranuar “pjesërisht”. Kështu, kërkesa që i ka drejtuar Apelit Xhevahir Mulliri është pranuar nga gjykata jo për ankimimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë, por për t’u dhënë të drejtën familjarëve të marrin pjesë në seancat që do të mbahen gjatë shqyrtimit të çështjes në apel. Kancelari i gjykatës, Ermir Petriti, tha se kërkesa është pranuar për pjesëmarrjen në seancat gjyqësore, pasi familjarët e tre viktimave nuk kanë marrë pjesë në gjykimin e Besim Karajt, sepse Gjykata e Faktit vendosi t’i zhvillojë seancat të mbyllura. Këtë herë, me kalimin e çështjes në Apel, familjarët do të kenë të drejtën të jenë të pranishëm në sallë. Por për faktin se vendimi i dhënë nga gjykata e rrethit me dënimin me 25 vjet të autorit të krimit nuk është ankimuar brenda 10 ditëve, kalimi i afatit ligjor ka bërë që familjarët të humbasin të drejtën e kalimit me kërkesë të tyre të çështjes në Apel. Ankimi i vendimit është bërë nga vetë i dënuari, Besim Karaj, i cili e konsideron të rëndë dënimin me 25 vjet burg për vrasje të trefishtë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›