E Diel, 1 Nëntor 2026

Rebelohen nxjerrësit e gurëve dekorativë në Tomor

Berat Firmat ilegale, prefekti mbledh zyrtarët përgjegjës

Pronarët e firmave të pllakave të gurit janë rebeluar dje pranë zyrës së Prefekturës së Beratit, duke kërkuar që të gjithë bizneset të tatohen nga ana e shtetit, ose në të kundërtën nuk do të paguajnë detyrimet. Drejtuesit e bizneseve që operojnë në karrierat e gurit dekorativ, kanë kërkuar nga institucioni i prefektit ndihmë në lidhje me problemin e detyrimeve që ata paguajnë nga shteti. Puna e shumë firmave të palicencuara në malin Tomor ka bërë që drejtuesit e firmave që paguajnë çdo detyrim ndaj organeve tatimore ka bërë që dhjetë drejtues biznesesh të kërkojnë sot në zyrën e prefektit Bujar Hoxha nënshtrimin ligjor për ato biznese që nuk tatohen. Në malin e Tomorit, kryesisht në Komunën e Bogovës, operojnë mbi 60 biznese, ndërsa në terren janë mbi 50 sheshe depozitimi përgjatë rrugës Skrapar-Berat. Por, përveç këtyre firmave që janë të licencuara nga ana e shtetit, në zonë punojnë shumë firma të tjera të palicencuara. Institucioni i prefektit ka thirrur dje në një takim për këtë problem drejtoritë përkatëse si Tatim-Taksat, Zyra e Mjedisit, Drejtoria Pyjore dhe Policia e Shtetit, si dhe përfaqësues të këtyre bizneseve për të diskutuar dhe për të përcaktuar detyrimet dhe masat ligjore që duhen marrë në lidhje me problemin e aktivitetit të këtyre bizneseve në zonën “tampon”. Prefekti i Qarkut, Bujar Hoxha, ka kërkuar nga drejtoritë përkatëse të dhënat si dhe masat që duhet të merren ndaj këtyre bizneseve që nuk paguajnë detyrimit. Nga ana e tyre, të gjitha bizneset pretendojnë se ndaj tyre po veprohet në mënyrë të padrejtë, pasi disa po ndëshkohen dhe disa po tolerohen. Drejtuesit e firmave kanë kërkuar ndihmën e prefektit në lidhje me zbatimin korrekt të ligjit për të gjithë, pasi në të kundërt do të detyrohen të mos i paguajnë tatimet. Sipas tyre, shumë prej firmave nuk operojnë në mënyrë të ligjshme, si dhe nuk kanë asnjë lloj dokumenti apo licencë nga ana e institucioneve përkatëse, madje e ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe në zonat që janë kategorikisht të ndaluara, pasi janë në zonën “tampon”. Sipas tyre, zyra e tatimeve nuk ka ushtruar kontroll për të gjithë firmat që operojnë në këtë zonë, drejtuesit e të cilave duke përfituar nga terreni i largët, punojnë për nxjerrjen e gurit dekorativ në mënyrë të kundërligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›