E Diel, 1 Nëntor 2026

Cërrik-masakra, 50 veta sulmuan policinë

Ish-polici Albert Uruçi dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda: Kërkuan largimin e policisë nga qyteza

Rreth 50 persona tentuan të sulmonin postën e policisë në Cërrik, çka do të sillte më pas ndërhyrjen e Gardës së Republikës dhe të forcave të policisë së Elbasanit, duke shënuar kështu një nga masakrat më të mëdha të trazirave të 13 viteve më parë. Dëshmitari Albert Uruçi, ish-punonjës policie në Cërrik, tha dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda se turma e qytetarëve dhe e disa personave të konsideruar “të fuqishëm” në Cërrik kërkuan largimin e policisë. Sulmi ishte frontal dhe madje me përleshje të vogla fizike, ndërsa me ndërmjetësimin e drejtuesve të postës policore është arritur që të prapësohet kjo turmë. Megjithatë, 23 marsi i vitit 1997 është shënuar si një nga ngjarjet kriminale ku qytetarët sulmuan policinë dhe kërkohej një ndërhyrje e specializuar, pasi situata mund të precipitonte. Gjithçka është organizuar nga strukturat bazë të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, duke urdhëruar policinë lokale, por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të kontrollonin një pjesë të popullatës në qytezën e Cërrikut.

Disa javë pas këtij paralajmërimi fillon edhe ndërhyrja e konsideruar e specializuar në qytezën e sipërcituar, ku kishte informacione se policia lokale nuk po funksiononte, ndërsa në disa korrespondenca policore raportohej se persona të armatosur lëviznin lirshëm në qytezë. Në muajin maj të vitit ‘97, drejtues të lartë të policisë dhe ministrisë urdhëruan ndërhyrjen në Cërrik, pa ditur se banorët e asaj zone ishin armatosur deri në dhëmbë.

Dëshmitari i djeshëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda foli për lëvizje të personave të rrezikshëm, ndërsa deklaroi se nuk kishte dijeni se kush e kishte sulmuar atë postë policore, pasi ngjarja, sipas tij, kishte ndodhur më herët. Duke ditur se rrezikshmëria në atë kohë ishte e madhe, policia lokale nuk arrinte të patrullonte pasi edhe në hyrje të qytetit ishin ngritur postblloqe nga elementët kriminalë.

Megjithëse kanë kaluar rreth 13 vjet nga ngjarja, Gjykata e Krimeve të Rënda ka hapur një proces gjyqësor, duke akuzuar rreth 10 persona si ideatorët e masakrës së Cërrikut, ku u vranë gjashtë gardistë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Në gjykatë janë paraqitur pothuajse të gjithë dëshmitarët okularë, të cilët kanë treguar se kanë parë vdekjen me sy, ndërsa kanë treguar edhe mënyrën e vrasjes së kolegëve të tyre. Sipas tyre, kjo është një ngjarje që nuk do t’u hiqet kurrë nga mendja.
Në seancën e djeshme gjyqësore, dëshmitari Uruçi, një ish- punonjës i postës së Policisë së Cërrikut, foli për sulmin ndaj kësaj poste në marsin e vitit 1997. Ai pohoi se kishte parë një turmë njerëzish, prej 50-60 vetash pranë postës, që kërkonte largimin e policëve prej saj. Dëshmia e tij pason ato të bëra nga disa ish-kolegë të tij, mes tyre dhe dëshmitarë okularë në ngjarje.
Shumë nga dëshmitarët në këtë proces janë ish-punonjës policie dhe Gardës, të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike në kohën e trazirave të vitit 1997 në Cërrik. Të pandehur në proces janë shtetasit Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomor Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ata akuzohen si autorë të sulmit me armë zjarri ndaj punonjësve të Gardës dhe Policisë së Shtetit më 23 mars të vitit 1997 në Cërrik, me pasojë vdekjen e 6 gardistëve si dhe plagosjen e 9 punonjësve të policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›