E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani nuk do të dëshmojë për trafikun e 40 kg heroinë

Gjykatë

Shtetasi gjerman, Daniel Englert, i arrestuar në Tiranë në një aksion antidrogë, i cili bllokoi 40 kilogramë heroinë vitin që shkoi, nuk ka pranuar të dëshmojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, në procesin ndaj biznesmenit nga Fieri, Zaim Tafa.

Ky i fundit është duke u gjykuar në gjendje të lirë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila e nxori atë nga paraburgimi edhe pse akuzohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në rastin e tentativës së trafikimit të 40 kilogramëve heroinë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Së bashku me biznesmenin nga Fieri, policia arrestoi gjatë aksionit antidrogë “Kështjella” edhe tre shtetas gjermanë, që kishin sjellë drogën në Shqipëri. Një prej tyre ishte Daniel Englert, i cili u thirr si dëshmitar në gjyqin kundër Zaim Tatës, por shfrytëzoi të drejtën ligjore për të mos dëshmuar mbi narkotrafikun. Shtetasi gjerman është dënuar me rreth 11 vite burg për episodin e trafikimit të heroinës, ndërkohë pas largimit të tij nga gjykata, prokurorja e çështjes lexoi deklarimet e dhëna nga gjermani në hetimet paraprake. Droga është gjetur në makinën e çiftit gjerman Franc e Regina Kiascek, të cilët thanë se kishin ardhur në Shqipëri për tregtimin e pikturave, ndërsa së bashku me një vepër arti, në makinën e tyre në pikën e kalimit kufitar në Korçë, u gjetën edhe 40 kilogramë heroinë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›