Kamerat zbulojnë hajdutin, vodhi shtatë herë supermarketin
Zbulohet dhe vihet në prangat e policisë, një hajdut sistematik i ushqimeve në supermarketin “Euromax”, që ndodhet në rrugën “Bogdani”, që lidh Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se vjedhja e fundit është kryer natën duke gdhirë dita e djeshme. Përparim Fejziaj, 50 vjeç nga Tirana, ka hyrë si edhe herët e tjera brenda në supermarket dhe pasi ka bërë pazaret që i duheshin, ka dalë prej andej pa paguar paratë. Kamerat e sigurisë të instaluara brenda ambienteve të supermarketit këtë herë e kanë tradhtuar. Punonjësit kanë vënë re hajdutin dhe kanë lajmëruar menjëherë forcat e policisë së Komisariatit nr. 3 të kryeqytetit. Ato kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë kryer arrestimin në flagrancë të 50-vjeçarit. Nga hetimet ka rezultuar se i njëjti person kishte mundur të vidhte edhe gjashtë herë të tjera mallra ushqimore në këtë supermarket, por pa u dalluar nga punonjësit. Fejziaj kishte zgjedhur një metodë primitive të të vjedhurit, por që kishte rezultuar efikase. Duke i fshehur në trup ushqimet, për të cilat kishte nevojë, ai kishte mundur të dilte nga supermarketi pa u diktuar fare. Herën e fundit, vetëm nëpërmjet kamerave të sigurisë, punonjësit kishin mundur të binin në gjurmë të hajdutit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të vjedhjes.
#