Grupi i hajdutëve, zbulohen katër vjedhje automjetesh
Policia e Tiranës ka dokumentuar tri vjedhje të grupit të dy kuksianeve dhe një kosovari. Pas ndalimit të tyre, policia u shpreh se Albin Gjoci, i arrestuar, në bashkëpunim me Albert Haraçinë dhe Shkëlzen Matmujën, u kapën në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Shkollës së Kuqe, ku dyshohet se kanë tentuar të vjedhin automjetin tip “Mercedes Benz”, me targa TR 6842 J, me ngjyrë të zezë, në pronësi të një shtetasi. Nga hetimet e realizuara deri më tani, dyshohet se ata, në kohë e vende të ndryshme, kanë vjedhur automjete, të cilat i kanë shitur në qytetin e Kukësit dhe konkretisht u dokumentuan disa vjedhje, të realizuara në qershor të këtij viti. Në afërsi të bllokut të ambasadave, tek dyqani i “Volkswagen”, kanë vjedhur një mjet tip “Volkswagen”, ndërkohë që në rrugën “Qemal Stafa”, dyshohet se kanë vjedhur një tjetër automjeti “Volkswagen 3”. Po në muajin qershor 2010, tek sheshi “Rilindja”, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip “Mercedes Benz”, me ngjyrë gri, mjete të cilat, dyshohet se janë shitur në bashkëpunim përmes tyre, në qytetin e Kukësit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti me targa 452 KS 655 dhe një çelës me të cilin hapnin automjetet. Aktualisht, vazhdon puna intensive mbi dokumentimin e një sërë vjedhjesh të automjeteve të realizuara nga këta persona.
#