E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit shuan shpresat e Shefket Musliut për ulje të dënimit

Gjykata e Apelit (EULEX), e kryesuar nga kryerja e kolegjit Hajnalka Veronika Karpati, ka refuzuar dy ankesat e avokatëve mbrojtës si të pabazuara dhe ka vërtetuar aktgjykimin e kundërshtuar nga mbrojtja. Edhe Shefket Musliut edhe Besim Tahirit i është vërtetuar dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Kryetarja e kolegjit në vendimin e saj ka thënë se kjo gjykatë konfirmon dënimin unik ndaj të akuzuarve Musliu e Tahiri. “Gjykata e Apelit nuk ka gjetur asnjë të metë faktike apo ligjore në vlerësimin e trupit gjykues”, raporton Rajonipress.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit në kuadër të EULEX-it janë dhënë edhe vlerësimet e avokatëve mbrojtës Nik Shala e Masar Morina. Nik Shala në ankesën e tij ka thënë se në rastin e Shefket Musliut ka pasur vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin. Shala ka kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të kundërshtuar apo kthimin e lëndës në rigjykim.

Sipas Shalës gjendja faktike është bazuar në prova jo relevante, sepse nuk ka prova për të mbështetur se i akuzuari Musliu ishte kryes i veprave penale për të cilat u shpall fajtor dhe u dënua. Shala ka shtuar se aktgjykimi i Gjilanit mbështetet në pretendime e jo në fakte të provuara.

Ndërkaq, avokati Morina ka thënë se ka pasur vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Morina ka propozuar që aktgjykimi të prishet dhe i akuzuari Besim Tahiri të lirohet nga përgjegjësia.

Në vendimin e EULEX-it është dhënë edhe vlerësimi i prokurorit të shtetit Jusuf Mejzini, i cili ka thënë se ankesat e avokatëve janë të papranueshme. “Gjykata e Qarkut në Gjilan në mënyrë korrekte shqyrtoi dhe vlerësoj rrethanat për shqiptim e dënimit unik andaj ankesat e mbrojtjes nuk vënë në pah ndonjë rrethanë lehtësuese të neglizhuar”, ka thënë Mejzini.

Duke marrë për bazë të gjitha këto mendime e kundërshtime, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e Gjykatës së Gjilanit, duke i shuar shpresat e Musliut e Tahirit për zvogëlim të dënimit apo kthim të rastit në rigjykim.

Shefket Musliu është dënuar me 12 vjet, Besim Tahiri me shtatë vjet, kurse Feriz Qerimi me pesë vjet burgim, në qershor të vitit 2004 nga kolegji penal i Gjykatës së Qarkut në Gjilan.

Në rigjykimin e zhvilluar ndaj Musliut e Tahirit, Gjykata Supreme ia ka zvogëluar dënimin në 10 vjet e gjysmë për Musliun dhe 6 vjet e 9 muaj për Tahirin, për shkak se prokuroi kishte tërhequr akuzën penale lidhur me rrëmbimin e dëshmitarit F.Y.

Ndryshe këtë dënim unik të fundit tani e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. Grupi i Musliut është akuzuar për veprat penale të rrëmbimit, kidnapimit, shtrëngimit.

Shefqet Musliu ka mbajtur mbi 8 vjet burg, kurse Feriz Qerimi, në mungesë të provave ishte liruar nga Gjykata Supreme e Kosovës, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2009 nga persona të panjohur ishte vrarë afër Hallës së sporteve në Gjilan./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›