Vllasi dyshon në sinqeritetin e Beogradit për zgjedhjet

Analisti Azem Vllasi ka deklaruar se nuk e sheh si shumë të sinqertë ftesën e kreut shtetëror në Beograd drejtuar serbëve të veriut të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje lokale të 3 nëntorit, që do të organizohen nga institucionet e Kosovës. Sipas tij, nuk duhet përjashtuar që kjo mund të jetë njëfarë loje e dyfishtë e pushtetit në Beograd.
“Ata dëshirojnë t’i tregojnë Brukselit se po i kryejnë obligimet që dalin nga marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, madje po shkojnë edhe më tutje duke i ftuar serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai për Telegrafin.
Vllasi shprehet se Qeveria serbe nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe ta shtyjë përpara integrimin e serbëve të veriut në sistemin kushtetues të Kosovës.
Sipas tij, Serbia do ta arsyetojë veten para Bruskelit dhe të tregohet e sinqertë vetëm për aq sa është e detyrueshme ta bëjë këtë dhe për aq sa nuk mund t’iu ikë obligimeve nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve.
“Nuk besoj se ata pa imponime dhe në mënyrë të sinqertë do ta ndihmojnë integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës”, ka shtuar ai.
Vllasi ka theksuar se në terren vërehen dallime në qëndrime në mes të një pjese të serbëve të veriut dhe kreut shtetëror serb sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, duke shtuar se ata të cilët janë kundër pjesëmarrjes në zgjedhje janë një rrymë e fortë brenda serbëve të veriut./Indeksonline./