E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëditjet e kreut të BSH-së më të larta se të kryeministrit e presidentit

Një raport konfidencial i Kontrollit të Lartë të Shtetit akuzon Bankën e Shqipërisë për shpenzime të larta dhe abuzime me paratë publike. Raporti, që mban firmën e kryetarit Bujar Leskaj, i kërkon Kuvendit të ndërhyjë menjëherë për të disiplinuar financiarisht Bankën Qendrore dhe për të minimizuar hapësirat e abuzimit me fondet publike në këtë institucion. Që në fillim të tij, dokumenti konstaton se pagat dhe shpërblimet për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, Këshillit mbikëqyrës, por edhe punonjësve të thjeshtë janë në nivele shumë të larta, të pakrahasueshme me asnjë institucion tjetër kushtetues. Madje, sipas KLSH, ato kanë dalë përtej kornizave të tregut dhe jashtë realitetit shqiptar.

Vetë raporti dokumenton si shembull ilustrues atë të dietave (mëditjeve). “Nivelet e dietave ditore për guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë pothuajse sa dyfishi i dietave që merr kryeministri dhe 60 euro më shumë në ditë sesa ajo e Presidentit të Republikës”, thuhet në raport.

Kjo do të thotë se vetëm diferenca ditore prej 60 euro mes dietës së guvernatorit dhe asaj të presidentit është gati sa gjithë pagesa mujore që përfiton një pensionist në Shqipëri.

“Vetëm dieta e drejtorëve të departamenteve janë sa ato të Presidentit dhe madje në shumë raste mungojnë dokumentet për të verifikuar kohëzgjatjen e qëndrimit në shërbim dhe kthimin e punonjësve”, thotë raporti.

Në fund kreu i KLSH-së jep një sërë rekomandimesh urgjente për disiplinimin financiar të Bankës Qendrore, ku fillimisht i kërkon Kuvendit të ndryshojë ligjin dhe më pas t'i heqë bankës të drejtën që ta kontraktojë vetë kompaninë që bën auditimin për ta marrë vetë atë.

Në vitin 2013, një nga më të vështirët të ekonomisë së zhytur në krizë, shpenzimet në Bankën e Shqipërisë u rritën me 30 për qind, duke arritur në 14 milionë dollarë. Në të kaluarën Top Channel, por edhe deputeti socialist, Erjon Braçe, kanë denoncuar disa herë në publik shpenzimet e larta në BSH, të cilat guvernatori i ka justifikuar si investime në burime njerëzore./Indeksonline./ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›