Gjykata e Hagës fton Kosovën të paraqesë faktet kundër Serbisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka ftuar Kosovën të paraqesë argumentat e veta në procesin që do të zhvillohet në lidhje me interpretimin e shpalljes së pavarësisë. “Duke marrë parasysh faktin se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë më 17 shkurt 2008 është subjekt i pyetjes së shtruar për opinion këshillëdhënës, autorët e deklaratës të sipërpërmendur mund të jenë në gjendje të furnizojnë Gjykatën me informata për këtë çështje, prandaj Gjykata ka vendosur që t’i ftojë ata të japin kontribute me shkrim brenda afateve të caktuara”,- thuhet në vendimin e Gjykatës. Lidhur me këtë veprim, autoritetet e diplomacisë kosovare kanë siguruar se do të jenë të gatshëm që në afatet e caktuara t’i ofrojnë argumente të fuqishme Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat do të jenë në favor të ligjshmërisë së saj. 17 prilli i vitit 2009, është caktuar Gjykata e Hagës si data e fundit kur palët e përfshira në këtë çështje do të mund t’i paraqesin deklaratat e tyre me shkrim. Detajet për afatet kohore u bënë të ditura nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili tha se urdhri i miratuar nga Gjykata më 17 tetor të këtij viti, me të cilin Kosova ftohet të marrë pjesë gjatë gjykimit të pavarësisë së saj, ofron siguri për vendin. “Kosova, brenda afateve kohore të përcaktuara nga Gjykata, do të paraqesë në çdo fazë çdo gjë që i kërkohet. I është kërkuar që të bëjë deklaratën me shkrim deri më 17 prill dhe këtë do ta bëjë. Gjykata e ka rezervuar të drejtën që të marrë vendime të veçanta rreth procedurave të mëtejme dhe ne do të respektojmë çdo vendim të gjykatës sipas periudhave përkatëse”,- tha Hyseni. Për të mbrojtur ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës, institucionet e larta shtetërore kishin angazhuar kohë më parë një ekip ekspertësh ligjorë, të kryesuar nga britaniku Majkëll Ud. Hyseni, shprehu besim të plotë në përgatitjet e ardhshme të këtij ekipi, në vendimin e gjykatës si dhe në ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë. “Institucionet e Kosovës kanë besim të plotë në gjykimin që do të sjellë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kanë besim të plotë në drejtësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kanë besim të plotë në argumentimin e fuqishëm që në favor të kësaj do të bëjë ekipi i ekspertëve ligjorë, të cilit do t'i prijë Sër Majkëll Ud”,- theksoi ai. Ekspertët e së drejtës ligjore në Kosovë, ndërkohë, shprehen optimistë që mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e Kosovës do të jetë në favor të vendit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përbëhet nga 15 gjyqtarë të pavarur nga e gjithë bota, të cilët zgjidhen nga Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme. Në përbërjen e saj aktuale janë të përfshirë gjyqtarë nga 6 shtete që tanimë kanë njohur Kosovën, ndërsa pjesa tjetër akoma nuk kanë hedhur hapin për njohje. Periudha deri në shprehjen e mendimit këshillëdhënës të gjykatës do të jetë sfidë për procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, shtetësinë e së cilës deri më tani e kanë njohur 51 vende.
Terral: “EULEX-i, neutral ndaj statusit të Kosovës”
Ambasadori i Francës në Beograd, Zhan Francois Terral ka deklaruar se misioni EULEX, mund të jetë në tërësi neutral ndaj statusit të Kosovë. Terral ka thënë se shpreson se do të arrihet një marrëveshje për vendosjen e këtij misioni në Kosovë, me të cilën do të ishin të kënaqur Serbia, BE-ja dhe OKB-ja. “Misioni EULEX është ideuar për t’u vendosur sundimi i ligjit në Kosovë dhe për t’u mbrojtur pakicat e rrezikuara. Ky është thelbi i tij. Është fakt se misioni përmendet në Planin e Ahtisarit, mirëpo EULEX-i ka logjikë vetjake dhe absolutisht mund të ndahet nga ky plan”,- ka thënë Terral për mediat serbe. Sipas tij, BE-ja nuk e ka ndërmend të ndërrojë strukturën e miratuar për EULEX-in, mirëpo ka shtuar se, “mund të pranojë që ky mision të jetë nën ombrellën e OKB-së dhe në kuadër të Rezolutës ekzistuese 1244”.
Fratini: “Kosova, stabilizator i rajonit”
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini e vlerësoi punën e Qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, dhe njëkohësisht shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje investitorëve italianë për të investuar në Kosovë, njofton zyra për informim e kryeministrit Thaçi. Franko Fratini tha se diplomacia italiane do të ushtrojë ndikimin e saj në drejtim të njohjes së Kosovës edhe nga shtete të cilat nuk e kanë bërë ende këtë. Nga ana e tij, Thaçi i tregoi Fratinit përparimin e procesit të njohjes së shtetit të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi qeverinë italiane për ndihmën e dhënë në të kaluarën dhe në ditët e sotme dhe kërkoi nga ministri Fratini që investitorët italianë të investojnë në Kosovë.
Çekia do të heqë vizat për Ballkanin kur të kryesojë BE-në
Ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg bëri të ditur se Çekia gjatë kryesimit të BE-së, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të angazhohet që të bindë Brukselin, që shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u hiqen vizat për hyrje në BE. “Zëri ynë në BE është ndër më të fuqishmit, që thotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike duhet të përshpejtohet dhe të përfundojë”,- ka thënë Shvarcenberg për të shtuar: “Do t’i bind politikanët e vendeve të tjera të BE-së se është e domosdoshme, që vizat të hiqen sa më parë”,- u ka thënë Shvarcenberg gazetarëve. Çekia si një nga detyrat parësore gjatë kryesimit gjashtëmujor të presidencës së BE-së, krahas fushatës “Europa pa barriera, ka vënë përshpejtimin e bisedimeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit.
Hollbruk dhe Eshdaun: “Bosnja rrezikon të shpërbëhet”
Dy ish-diplomatët e lartë amerikanë dhe britanikë i kërkuan dje komunitetit ndërkombëtar të përqëndrohet sërish te Bosnja. Ata paralajmëruan për rrezikun e “shpërbërjes" së këtij vendi të shkatërruar nga një luftë ndërkomunitare nga 1992-1995.
“Sot vendi po përballet me një rrezik real shpërbërjeje”,- shkruajnë në një letër të hapur ish-diplomati amerikan, Riçard Hollbruk, artizani kryesor i marrëveshjes së paqes që i dha fund konflikit dhe ish-Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, britaniku Padi Eshdaun. “Ka ardhur koha për akordiminin e vëmendjes ndaj Bosnjës, nëse nuk dëshirojmë t’i shohim gjërat të përkeqësohen me shpejtësi”,- janë shprehur ata.
“Gjithçka si në vitin 1995, vendosmëria dhe uniteti transatlantik janë të nevojshëm nëse nuk dëshirojmë të gjendemi përballë një krize të re”,- vijojnë Hollbruk dhe Eshdaun, në këtë letër të botuar nga e përditshmja “Dnevni Avaz”. Ata paralajmërojnë për konfuzionin e komunitetit ndërkombëtar dhe akuzojnë administratën aktuale amerikane se i ka kthyer shpinën Bosnjës, ndërsa Bashkimin Europian se ka dështuar në zhvillimin e një stretegjie koherente për të ardhmen e kësaj ish-republike jugosllave.
Mali i Zi në BE deri më 2012, falë Kosovës
Republika e Malit të Zi, deri në fund të vitit aktual do të aplikojë për anëtarësi në Bashkimin Europian ndërsa synon që deri në vitin 2012 të jetë anëtare e BE-së. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i këtij vendi, Millo Gjukanoviç. Njohja e shtetit të Kosovës po tregon se ka qenë pikë kthyese në aplikimin e Malit të Zi drejt institucioneve euro-atlantike. Gjukanoviç gjatë intervistës tha se “kemi vlerësuar se Mali i Zi me mosnjohjen e Kosovës do ta ngadalësonte rrugën e vetë drejt BE-së dhe NATO-s”. Gjukanoviç mes tjerash tha se vendimi mbi njohjen është marrë në një moment kur Mali i Zi duhet të ndërmarrë disa nisma tejet të rëndësishme ndërkombëtare si kërkesat për anëtarësim në BE dhe NATO.
23 Tetor 2008