E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Hagës shtyn gjyqin ndaj Radovan Karaxhic

HAGE- Gjykata e Hagës shtyn gjyqin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Radovan Karaxhic për në muajin mars 2010. Gjyqi filloi më 26 tetor, por Karaxhic fillimisht bojkotoi seancat e para, pastaj u shfaq në sallë, duke këmbëngulur se kishte nevojë për më shumë kohë që të shqyrtonte dosjet prej 1.5 milionë faqesh të Prokurorisë.
Por gjykata ka vendosur të imponojë një avokat mbrojtës Karaxhicit, i cili kishte vendosur të mbrohej vetë duke kërkuar edhe 10 muaj kohë për t’u përgatitur. Koha e dhënë në dispozicion nga Gjykata është për avokatin mbrojtës dhe Karaxhicin që të përgatisin mbrojtjen.

Karaxhic përballet me 11 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid në luftën e Bosnjës në vitet 92-95.
Ai u kap vitin e shkuar në Beograd i maskuar me emër të rremë, pasi qëndronte prej13 vjetësh në arrati.
Karaxhic akuzohet se orkestroi masakrat ndaj joserbëve në luftën e Bosnjës, bashkë me gjeneralin Ratko Mladic, i cili është ende në arrati. Në fakt që kur nisi gjyqi, të mbijetuarit e luftës në Bosnjë Hercegovinë ishin skeptikë për procesin dhe për dënimin e Karaxhic.
Ata thonë se edhe ai do i shpëtoje drejtësisë si Milloshevici, gjyqi i të cilit nuk përfundoi me një vendim, pasi ai vdiq në qelinë e Hagës.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›