E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia ndërton Unazën e Madhe, qeveria shlyen shpronësimet

Autori i Lajmit: red.
Projekti i Unazës së Madhe të kryeqytetit është prezantuar dje nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Projekti në fjalë pritet të nisë nga Shkolla Teknologjike duke vazhduar në Selitë, pas Parkut Kombëtar e deri në kryqëzimin me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit. E cilësuar si një nga arteriet kryesore të së ardhmes në kryeqytet, Unaza e Madhe dhe veçanërisht segmenti jugor i saj prej 5.5 km do të ketë një impakt të rëndësishëm mbi trafikun, pasi automjetet që lëvizin nga Veriu drejt Jugut nuk do të futen më në Tiranë.
Prezantimi i projektit
"Ky është një projekt që në asnjë mënyrë nuk duhet të kthehet në argument politik. Projekti u përket qytetarëve të Tiranës dhe është përtej çdo kufizimi e kornize, përtej çdo fushe garash dhe betejash, qofshin këto në kohët e moralitetit demokratik, qofshin këto në periudha paralektorale", - u shpreh Rama. Projekti është analizuar në mënyrë të detajuar nga studio evropiane "Bernard" si për sa i përket trafikut, ashtu dhe sigurisë rrugore dhe impakti mjedisor. Ai synon kalimin e unazës pranë parkut, por pa cenuar peizazhin, florën dhe faunën në këtë zonë. Ky segment i Unazës është parashikuar të jetë me disa korsi, duke përfshirë ato preferenciale si korsinë për biçikleta dhe këmbësorë, transportin publik, parkimin e etj. Projekti është parashikuar të kushtojë 20 milionë euro, të cilat do të mundësohen nga BERZH që në parim ka dhënë “OK”. Unaza e Madhe do të fillojë sapo të nënshkruhet kontrata për dhënien e kredisë.
Financimi
Ky është një projekt që do të financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka dhënë për Bashkinë disa grante që i paraprijnë vetë financimit të madh të projektit për të cilin Bashkia ka marrë miratimin paraprak. Gjatë prezantimit të projektit, kryebashkiaku Rama e cilësoi atë si një sintezë të një eksperience të akumuluar në vite, një ambicie të Bashkisë, çka ajo synon për kryeqytetin dhe një model se si duhet të ndërtohen rrugët e vendit. Sipas Ramës, grantet që janë dhënë deri tani nga BERZH, janë të tri niveleve: granti i parë ka qenë për vlerësimin e aftësisë kredimarrëse të Bashkisë në bazë të një analize të detajuar të kësaj banke; granti për studimin e trafikut ku do të mbështetet edhe ky projekt si dhe granti për vlerësim mjedisor të projektit.
Zbatimi i projektit
Gjatësia e këtij aksi është 5.5.km, projekti është bërë nga studioja evropiane ”Bernard”, e cila operon në disa vende të Evropës. Gjithashtu, ky projekt ka të përfshira një sërë elementesh, si korsia preferenciale për transportin publik, korsinë për biçikletat, si dhe vendparkimet atje ku rruga do të kalojë në zona të banuara. Me anë të këtij projekti synohet për herë të parë që Tirana të ketë një qendër të kontrollit të trafikut vizual dhe statistikor.
Reagimi i Qeverisë
Kryeminstri Berisha para dy javësh ka deklaruar se ”Unaza do të ndërtohet dhe Bashkisë së Tiranës do t i ofrohet mundësia për shpronësime. Fondet e Bashkisë për të marrë kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme”. Duke u nisur nga kjo performancë fiskale, kreu i Qeverisë u shpreh se "llogaritet që Bashkia e Tiranës mund ta shlyejë një kredi së paku për 125 vjet, nuk ka asnjë institucion bankar dhe financiar që mund të ofrojë kredi me një afat mbi njëshekullor, ndaj nuk ka shanse që Bashkia e Tiranës të përfitojë një kredi”. Kryeministri theksoi se "Qeveria do të bëjë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit", sikundër sipas tij, "Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër tenderimin sa më të shpejtë dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e saj, në rast se Bashkia nuk është e përshtatshme për t u kredituar, sepse nuk jep garanci". Kreu i Qeverisë deklaroi se "projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës nuk do të shtyhet, por do të nisin negociatat me Bashkinë, projekti është i madh ndaj do të fillohet me segmentet më emergjente, sepse ai si projekt shkon së paku në 300 milionë euro”.
Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›