E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë - Parlamenti rrëzon kandidaturën e Vexhi Muçmatës

Kuvendi ka hedhur poshtë me votat e mazhorancës kandidaturën e propozuar nga presidentit Bamir Topi për anëtar të Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmata. Ashtu sikurse pritej, pas sinjaleve negative në Komisionin e Ligjeve, i cili rrëzoi emërimin në Gjykatën e Lartë, dje mazhoranca me votat e saj rrëzoi kandidaturën, pas asaj të Sokol çomos një javë më parë.
Rrëzimi i Vexhi Muçmatës u bë me 65 vota kundër të deputetëve të Partisë Demokratike, 4 vota ‘pro’ nga të zgjedhurit e LSI-së dhe 3 abstenime të deputetëve të PDU-së. Ligjvënësit demokratë vlerësuan kandidatin Muçmata si të pabesueshëm dhe ish punonjës i strukturave represive të regjimit diktatorial. Propozimi u bë të martën nga deputeti demokrat dhe relatori, Viktor Gumi, gjatë shqyrtimit të materialeve për kandidatin në fjalë. Deputeti Gumi ka deklaruar se Muçmata është i pabesueshëm për t’u bërë anëtar i Gjykatës së Lartë.
“Kandidati ka shërbyer në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist, në rolin e hetuesit dhe ka qenë drejt për drejtë i përfshirë në hetimin e veprave penale me natyrë politike. Besimi te ky kandidat ne integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe më pas të Kuvendit për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë”- u shpreh deputeti Gumi.
Dy javë më parë, Muçmata i pyetur nga deputetët e PD-së deklaroi se kishte qenë anëtar i Partisë së Punës dhe se nuk mbante mend të kishte marrë ndonjë vendim për arsye politike para viteve 1990. Qëndrim ky i dyshimtë dhe që hidhte dritë mbi veprimtarinë e tij në të shkuarën. Pas rrëzimit të Sokol çomos një javë më parë, Muçmata është kandidati i dytë që rrëzohet në sajë të kritereve të Kuvendit.
Ndërkohë, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, opozita ka boshatisur karriget e Kuvendit, në çdo ligj që është votuar, pa çka se votat e saj s’kanë qenë shumë të domosdoshme, porsa kohë një pjesë e mirë e projektvendimeve miratohen me shumicë të thjeshtë. Ajo që bie më tepër në sy, është arroganca e këtyre pseudodeputetëve, të cilët për të ushqyer tekat personale të liderit të tyre, sakrifikojnë veten profesionalisht, duke u etiketuar si të padobishëm dhe njëherazi të paaftë të kryejnë detyrën për të cilën janë betuar para elektoratit dhe shqiptarëve në tërësi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›