E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vjeshtë PE-ja do miratojë hyrjen e Shqipërisë në zonën “Schengen”

Vizat - misioni faktmbledhës mbyll inspektimin në terren

Ekspertët e Bashkimit Evropian kanë përfunduar dje misionin teknik në Tiranë në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Grupi i ekspertëve mbërriti në Shqipëri dy ditë më parë për të verifikuar në terren përparimin e bërë lidhur me kriteret e mbetura të identifikuara në propozimin e Komisionit Evropian, të miratuar më 26 maj 2010, për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Përmes një njoftimi për mediat, zyra e BE në Tiranë bën të ditur se, “Duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Evropian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura. Ky vlerësim do t’u paraqitet në muajin shtator Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e Komisionit Evropian në Tiranë.
Eurodeputetja Tanja Fajon do të prezantojë një projektrezolutë, votimi i së cilës do të kërkohet që të mos shtyhet. Nëse ekspertët do të japin një vlerësim pozitiv, vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave do të merret nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare, jo më vonë se muaji nëntor i këtij viti.
Ndërsa kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, duke komentuar çështjen e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, është shprehur se kjo punë mund të finalizohet me sukses brenda vjeshtës së këtij viti.
Ai ka vënë në dukje angazhimin e autoriteteve shqiptare në këtë proces, duke u shprehur se janë përmbushur kushtet teknike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›