“Opozita po reflekton mentalitetin antiligjor të Edi Ramës”

Ligji për Policinë Gjyqësore - reagojnë ministrat Basha e Nishani
Projektligji për Policinë Gjyqësore ka shkaktuar debate të ashpra në kuvend mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me interpretimet përkatëse të draftit të Qeverisë.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh nga foltorja e Kuvendit se opozita po demonstron në Kuvend sjelljen e liderit të saj, i cili vepron mbi ligjin. Sipas ministrit Basha, PS-ja duhet të ndërgjegjësohet dhe të mbështesë një nismë të tillë kaq të rëndësishme, pasi vjen në sajë të një konsensusi të gjerë të katër institucioneve. “Ky ligj vjen si konsensus i Prokurorisë me Ministrinë e Brendshme, me Policinë, me Ministrinë e Drejtësisë dhe me mbështetjen e plotë të të gjithë agjencive që kanë më se 15 vjet që asistojnë Shqipërinë. Jeni komplet ‘out’, dhe e vetmja gjë që bëni me këtë interpretim bëheni qesharakë dhe reflektoni menjëherë mentalitetin antiligjor të zotit Rama, i cili që nga dita e parë në politikë dhe deri sot vazhdon të pretendojë të jetë mbi ligjin”, tha ministri i Brendshëm, Basha.
Nga ana tjetër, opozita akuzoi se shumica kërkon të nënshtrojë sistemin e drejtësisë përmes këtij ligji.
“Ju doni ta nënshtroni drejtësinë, ju doni ta keni policinë një mashë politike në dorën tuaj, po ju nuk mund ta ktheni policinë e shtetit në një zgjatim të Partisë Demokratike”- tha deputeti socialist, Saimir Tahiri.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani, i cili u shpreh se përmes kësaj nisme Shqipëria forcon shtetin ligjor dhe mbrojtjen kushtetuese të qytetarit.
“Modeli ynë është për shtetin ligjor, për zbatimin e ligjit, për mbrojtjen kushtetuese dhe ligjore të çdo qytetari, ndërsa ju merrni në mbrojtje akte të një prokurori i cili urdhëronte policin me telefon celular, arrestoje pak atë që ke përballë. Këto janë metoda gestapo, jo të një shteti ligjor. Këtë kemi denoncuar dhe këtë do të denoncojmë sa herë të ketë tentativa për të ndodhur. Nuk ka asnjë tregues, asnjë provë që institucionet e zbatimit të këtij ligji po politizohen”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”, miratohet me shumicë të thjeshtë. Para kalimit për votim, projektligji u shqyrtua nga komisionet parlamentare, ku edhe mori mbështetje të plotë në parim.
Opozita akuzon mazhorancën e se synohet që përmes këtij drafti të kenë në kontroll policinë gjyqësore. Sipas deputetëve të Partisë Socialiste, ndryshimet e bëra i japin më shumë kompetenca Ministrisë së Brendshme në emërimin e Oficerëve të Policisë Gjyqësore. Por, reagimi i mazhorancës është se opozita niset nga kontekstet e veprimit antiligjore të kryetarit të saj, pasi ligji Për Policinë Gjyqësore, është një tregues i qartë i forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të qytetarit.