“Janë plotësuar kushtet teknike, Shqipëria të presë e qetë vendimin”
Vlerësimi zyrtar i ekspertëve
Në mbyllje të misionit faktmbledhës në vendin tonë, ekspertët e Komisionit Evropian, kanë dhënë vlerësimin e tyre paraprak, ku kanë konstatuar një progres të qartë në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit të vizave.
“Jemi të kënaqur për progresin që kemi konstatuar për plotësimin e kritereve shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. çdo gjë është në rrugën e duhur”, është shprehur shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Europian, Luigi Soreca. Kësisoj, përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësojnë se është bërë punë shumë e mirë për Strategjinë për Riintegrimin e të Riatdhesuarve; kanë konstatuar rezultate të kënaqshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, narkotrafikut dhe trafikut të qenieve njerëzore si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, e po kështu vlerësojnë përpjekjet dhe rezultatet e deritanishme të agjencive ligjzbatuese në fushën e goditjes së aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.
Në bazë të këtij vlerësimi paraprak të zyrtarëve të lartë të KE-së, bëhet gjithnjë e më e dukshme rruga e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE. Ekspertët e KE-së garantojnë se raporti i tyre do jetë pozitiv dhe se s’do ketë vendim tjetër nga Brukseli, veç atij të heqjes së vizave për çdo qytetar shqiptar.