Liberalizimi i vizave me Shqipërinë, në axhendën kryesore të Bashkimit Evropian
Këshilli i Ministrave të Brendshëm Europian shqyrton në mbledhjen e nëntorit në Bruksel heqjen e regjimit te vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, pasi Presidenca belge e ka përcaktuar tashmë me axhendë. Pika e 8-të e diskutimit në Këshillin e 8-9 nëntorit 2010 do të diskutojë kështu dhe ndryshimet në rregulloren përkatëse “mbi listën e vendeve të treta, ku qytetarët detyrohen të marrin vizë për të shkelur kufirin e vendeve anëtare, dhe të listës së atyre vendeve ku qytetarët përjashtohen nga ky obligim”.
Kjo çështje është subjekt për miratim sipas axhendës së deritanishme të Këshillit të BE-së. Në rast të një vendimi pozitiv nga ministrat e Brendshëm, hyrja në fuqi 20 ditë pas miratimit, me publikimin në fletoren zyrtare europiane, përkon me festat kombëtare të Shqipërisë.
Në momentin e rrëzimit të murit të vizave “Schengen”, personat e pajisur me pasaporta biometrike do të kenë të drejtë të udhëtojnë, pa kërkuar vizë, në të gjitha vendet e BE-së me përjashtim të Britanisë dhe Irlandës, si dhe në 3 vendet jo anëtare të BE-së Zvicër, Islandë e Norvegji. Bullgaria, Rumania dhe Qipro zbatojnë ende në mënyrë të pjesshme marrëveshjen e “Schengenit” ndaj deri në zbatimin e plotë, përkohësisht, duhet aplikuar për vizë në konsullatat përkatëse.
Liberalizimi i vizave bëhet vetëm për qëndrimet afatshkurtra deri në 90 ditë në zonën “Schengen”, por nuk mundëson punësim, apo qëndrim më afatgjatë, pasi për këtë duhet aplikuar serish për vizë.