E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, për 2 vjet aksidentohen në punë, rreth 15 mijë shqiptarë

Sipas Zyrës së Emigracionit pranë Ministrisë së Punës, emigrantët në Itali punojnë në kushte të vështira dhe shpesh u rrezikohet jeta

Ashtu siç është gjithnjë në rritje numri i të huajve në Itali, ashtu janë gjithnjë e më shumë në rritje numri i viktimave të aksidentuar në punë. Shqiptarët, të cilët kanë emigruar për një jetë sa më të mirë drejt shtetit fqinj, Italisë, dhe që punojnë në të zezë, janë ndër më të aksidentuarit. Këtë e pohojnë burimet pranë Zyrës së Emigracionit në Ministrinë e Punës, të cilat theksojnë se, që nga viti 2006, ka patur rreth 15 mijë të aksidentuar në punë, që janë emigrantë shqiptarë. Vetëm javën e fundit të muajit tetor, janë shënuar dy viktima gjatë punës. “Numri i emigrantëve shqiptarë, të cilët aksidentohen gjatë punës, ka ardhur në rritje, janë bërë 15. 051 denoncime për shqiptarët që punojnë jashtë çdo kushti teknik, në krahasim me 374 që ka qenë një vit më parë. Ky është një faktor tepër shqetësues për komunitetin shqiptar që jeton në Itali, pasi, për shkak të kushteve të dobëta të punës që ata janë të detyruar të punojnë, u rrezikohet së tepërmi jeta”,- pohojnë specialistët e Zyrës së Emigracionit pranë Ministrisë së Punës, duke shtuar se vetëm për vitin 2008, në total, janë shënuar 22 aksidente me pasojë vdekjen, si dhe me qindra aksidente të tjera që, fatmirësisht, nuk kanë përfunduar me humbje jete. Më të rrezikuarit dhe më të ekspozuar për aksidente janë punëtorët ilegalë dhe që punojnë në të zezë, pohojnë burimet pranë zyrës së punës. Këto burime pohojnë sebëhet fjalë për një fuqi punëtore që dëmtohet dhe cenohet gjithnjë dhe më shumë. Në total, nga sindikata dhe shoqata të ndryshme monitoruese, janë 23.327 denoncime lidhur me popullsinë marokene, dhe 17.832 denoncime janë bërë për punëtorët me kombësi rumune. Shqiptarët renditen të tretët në listë, me 15. 051 denoncime, krahasuar me 374 në 2006-n. Megjithatë, në Itali, rreth 3 milionë banorë emigrantë, janë të siguruar në INAIL (+20 % krahasimisht me 2007-n) ku, pjesa më e madhe, janë rumunë ku, nga 1 milion emigrantë në Itali, janë siguruar 600 mijë dhe shqiptarët 402 mijë. Por, të siguruar, janë vetëm 240 mijë. Denoncimet që janë bërë mbi aksidentet në punë, kanë shkuar në 140. 576 dhe 174 raste me pasojë vdekjen, gjithnjë sa i takon këtij grupi shoqëror që jeton në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›