Gjykata e Lartë; Kryetarja Becaj, takime me ambasadorë dhe drejtues të misioneve të huaja
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Becaj, ka pritur dje në takime disa nga përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Shqipëri, si dhe misioneve të ndryshme të huaja mbi drejtësinë dhe gjyqësorin. Takimet janë zhvilluar në kuadrin e prezantimit të kryetares së re të Gjykatës së Lartë, si dhe të vazhdimit të bashkëpunimit të këtyre misioneve të rëndësishme me gjyqësorin në vendin tonë. Znj. Becaj është takuar fillimisht me drejtorin e misionit EURALIUS, z. Roland Miklau, i cili është një nga misionet kryesore të KE-së mbi reformat dhe mbështetjet e gjyqësorit dhe drejtësisë në vendin tonë. Z. Miklau e ka njohur znj. Becaj në lidhje me fazat e zhvillimit të projekteve mbi drejtësinë dhe gjyqësorin, duke dhënë gjithashtu edhe mbështetjen e tij për të asistuar në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu, pjesë e axhendës së takimeve të ngjeshura që kryetarja Becaj ka pasur këto dy ditët e fundit, ka qenë dhe takimi me ambasadoren e Zvicrës, znj. Ivana Enzler, i cili ishte një takim njohje dhe kortezie. Gjatë këtij takimi, ambasadorja e Zvicrës e ka uruar znj. Becaj për postin që ajo tashmë mban, si një detyrë shumë të rëndësishme, duke theksuar gjithashtu se emërimi i saj në krye të Gjykatës së Lartë është një shenjë emancipimi, ku gruaja luan një rol të rëndësishëm në sistemin gjyqësor të vendit tonë. Sipas znj. Enzler, ky duhet të jetë një shembull i mirë jo vetëm për vendet e Evropës Lindore me një demokraci të re, por edhe për vende të tjera perëndimore me demokraci të përparuar dhe shumëvjeçare. Ambasadori britanik në Shqipëri, z. Frasen Wilson, është pritur gjithashtu nga znj. Becaj, në një takim njohjeje dhe bashkëbisedimi mes të dyja palëve. Gjatë këtij takimi, z. Wilson është shprehur i gatshëm për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke premtuar se do të bëjë detyrën e tij, për të biseduar me zyrtarët e lartë të vendit të tij, për të ndihmuar konkretisht sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin në Shqipëri. Ai vuri theksin dhe shprehu interes të veçantë në transparencën dhe shpalljen e arsyetuara të vendimeve gjyqësore, në mënyrë që ato të jenë sa më pranë dhe sa më të kuptueshme nga publiku. Z. Wilson vlerësoi vendimet unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara si shumë të rëndësishme në kuadër të unifikimit të praktikës gjyqësore në vendin tonë. Znj. Becaj, pasi i ka bërë një përshkrim të detajuar të funksionimit të Gjykatës së Lartë dhe gjyqësorit në Shqipëri, ka marrë mbështetjen e ambasadorit të Britanisë së Madhe për të ndihmuar në kuadër të projekteve reformuese për drejtësinë dhe gjyqësorin. Takimet e rëndësishme të kryetares së Gjykatës së Lartë janë mbyllur dje me pritjen që ajo i bëri edhe drejtores së re të misionit të USAID-it në Shqipëri, znj. Roberta Mahoney. Znj. Becaj e ka renditur si shumë të rëndësishëm misionin e ndihmës së qeverisë amerikane që po i jep dhe i ka dhënë gjithmonë gjyqësorit në vendin tonë. Znj. Mahoney nga ana tjetër e ka njohur z. Becaj me projektet më të fundit që USAID po implementon në Shqipëri në disa gjykata pilote. Në takim merrte pjesë dhe z. Frederik Yeager, drejtor i “DMK-consulting” firma zbatuese e projektit mbi Programin e Shtetit Ligjor në Shqipëri të USAID-it.