Gjykata e Lartë cakton një ekip ekspertize vendase për video-regjistrimin e Dritan Priftit
Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë ekspertimin e video-përgjimit Meta – Prifti, duke angazhuar 3 ekspertë të tjerë, për kryerjen e ri-ekspertimit. Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani janë ekspertët që Gjykata e Lartë ka caktuar për ri-ekspertimin e materialit të videos. Të tre emrat janë ekspertë në shkencën e informatikës dhe do të bëjnë ekspertizën e video-regjistrimit Meta-Prifti. Kolegji Penal me relator Ardian Dvoranin ashtu siç kishin vendosur në seancën e shkuar ka paraqitur emrat e 3 ekspertëve që duhet të bëjnë edhe një herë ekspertimin e video-përgjimit mes ish-zëvendëskryeministrit Meta dhe ish-ministrit të Energjetikes Dritan Prifti, ka paraqitur Ardian Pollon, Ermal Beqirin dhe Dritan Zotën. Por prokurori Bujar Sheshi, e ka kundërshtuar ekspertin Dritan Zota pasi ky i fundit është shprehur për një të përditshme shqiptare lidhur me video-përgjimin dhe për këtë arsye nuk mund të ishte pjesë e procesit gjyqësor, por gjithashtu ka kërkuar që eksperti anglez të përfshihej sërish në ri-ekspertim. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatëve mbrojtës të Metës, Serjani dhe Velleshnja të cilët i kanë kërkuar Kolegjit Penal që eksperti anglez të mos pranohej si ekspert pasi në ekspertizën e parë ai kishte deklaruar se nuk i disponon të gjitha kushtet dhe mjetet për të zbardhur plotësisht pjesën e audios së video-regjistrimit.
Kolegji penal ka marrë vendim që ekspertët e huaj të mos përfshihen në ri-ekspertim dhe ka zëvendësuar Dritan Zotën me Artur Rrahmanin. Në seancën e radhës më 28 shtator tre ekspertet do të paraqiten para trupit gjykues dhe do të caktohen detyrat për ta.