“Mirëkuptimi fetar, një ndër vlerat më të pazëvendësueshme të paqes”
Kryeministri përshëndet Asamblenë e Përgjithshme të Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës
“Dialogu dhe mirëkuptimi ndër fetar janë vlera të mëdha dhe të pazëvendësueshme të paqes në Europë dhe në Botë. Nuk ka besoj unë, përpjekje më fisnike, për ata që i besojnë Zotit, sesa të përpiqen të mirëkuptojnë besimin e tjetrit”.
Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha dje gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur në Tiranë nga Asambleja e Përgjithshme e Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës. Kreu i qeverisë tha se liritë dhe të drejtat universale, janë para së gjithash hyjnore dhe si të tilla, janë vlera në të cilat duhet të bashkohen të gjithë ata që i besojnë Zotit, pa dallim nga besimet e tyre fetare.
“Janë këto vlera që bëjnë pjesë në deklaratën universale të lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilat burojnë si vlera hyjnore. Në kohën e sotme, kohë në të cilën realisht kryqëzohen lloje të shuma krizash, ky dialog, ky debat, kjo përpjekje bëhet shumë herë më e rëndësishme. Ky dialog, kjo përpjekje, ky mision, është i një rëndësie nevralgjike, sepse sërish duhet të pranojmë, se muret e padijes krijojnë përshtypje dhe hendeqe tërësisht të pamerituara midis besimeve, apo midis kulturave, midis kombeve me besime të ndryshme. Ndaj dhe është për tu admiruar përpjekja juaj të nderuar drejtues dhe anëtarë të këtij komisioni, përpjekja e udhëheqësve shpirtëror në tërësi, për të promovuar këtë çështje të rëndësishme jetike, për paqen dhe mirëkuptimin shoqëror edhe midis kombeve”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke iu referuar anëtarësisë së Shqipërisë në konferencën Islamike, shefi i ekzekutivit theksoi se myslimanët dhe të krishterët shqiptarë, para së gjithash kanë të palëkundur besimin e njëri-tjetrit.
“Një ditë në zyrën time, prita një grup parlamentarësh nga një vend mik, pasi ju bëra një ekspoze u shpreha se jam i hapur për çdo pyetje dhe njëri prej tyre më shprehu shqetësimin më të madh, se pse Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike? Gjëja e parë që më erdhi në mend dhe ju përgjigja. I thash: zotëri, burri i parë i shteti në Botë që më ka përgëzuar ka qenë Papa Gjon Pali i II dhe këtë mesazh përgëzimi e dërgoi, sepse ishte i bindur në domosdoshmërinë dhe nevojën e dialogut, midis popujve me besime të ndryshme. Nuk ka nderim më të madh se ata që i besojnë Zotit, sesa të respektojnë besimin e tjetrit, që i lutet të njëjtit Zot. Në këtë kontekst dua të theksoj se të tillë janë të krishterët, dhe myslimanë shqiptarë. Aq sa e kanë të fortë besimin tek Zoti, po kaq e kanë të palëkundur respektin për besimin e njëri- tjetrit, tha Berisha, duke shtuar se, dëshmi e kësaj force të besimit të tyre janë dhe sakrificat që ata përjetuan të paimagjinueshme në kalvarin e regjimit komunist. Udhëheqësit shpirtëror të besimeve fetare shqiptare në tërësi dhe veçanërisht klerikët katolik, u përballën me shtypjen më të egër, me torturat më mizore, me persekutimet, por qëndruan të pamposhtur, nuk i mbajtën asgjë tjetër përveç besimit tek Zoti dhe Krishti dhe po kështu klerit mysliman dhe udhëheqësit e besimeve të tjera”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.