PD, tjetër ftesë kompromisi për reformën zgjedhore

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi ka përcjellë një tjetër ftesë për opozitën, në mënyrë që të dyja palët të ftojnë bashkërisht OSBE/ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias që të ndihmojë për reformën. Si zakonisht, ftesa ka hasur në mungesën e seriozitetit nga ana e PS-së
Partia Demokratike caktoi Oerd Bylykbashin dhe Viktor Gumin, si negociatorë për të eksploruar dhe shqyrtuar me opozitën modalitetet e ngritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, iu drejtua sot me një letër homologut të tij, Gramoz Ruci, ku e njoftonte zyrtarisht për vendimin.
Në letrën e tij, vlerësohej se “një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”.
Siç dihet, Partia Socialiste kishte emëruar Damian Gjiknurin dhe Vasilika Hysin, si të ngarkuar për të nisur kontaktet me përfaqësuesit e mazhorancës për reformën zgjedhore. Por bashkë me emrat e të ngarkuarve nga Partia Demokratike, Patozi i kërkon Ruçit që të dy palët t’i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës.
Kreu i grupit të PD shkruan se “do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje”, mbyllet letra e Patozit.
Kjo është letra e dytë që kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi i dërgon homologut të tij socialist Gramoz Ruçi, brenda 2 muajve. Para pushimeve të verës Patozi iu drejtua socialistëve përmes një letre dërguar Ruçit, ku i kërkonte këtij të fundit të jepte konsensusin parlamentar për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore si dhe thirren e tryezës së partive politike, një tryezë kjo gjithëpërfshirëse me mbledhjen e një spektri të gjerë politik. Por letra e Patozit s’mori përgjigje, pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve për rinisjen e dialogut politik dhe përqendrimin e vëmendjes te reformat. Një ndër to që kërkohej me ngulm nga faktori ndërkombëtar ishte pikërisht reforma zgjedhore. I shtyrë nga faktorë të ndryshëm, veçanërisht nga detyrimet dhe përgjegjësitë e Shqipërisë ndaj ndërkombëtarëve, nënkryetari i Partisë Demokratike, me rastin edhe të nisjes së sesionit të ri parlamentar, gjen rastin t’i drejtohet për të dytën herë Partisë Socialiste, në mënyrë që kjo e fundit të japë konsensusin për hartimin e reformës së re zgjedhore.