“Sajmir Tahiri, vegël e Edi Ramës, me kursin e ri ka nisur sezonin e shtrigave”
Ministri Genc Ruli reagon ndaj akuzave
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli i kundërpërgjigjet akuzave në adrese të tij për minierën e Bulqizës, duke i konsideruar këto si sulme të pastra politike, ndërkohë që akuzuesin e tij, Sajmir Tahirin e ka quajtur vegël në duart e Edi Ramës.
Gjatë një deklarate për mediat, Ruli ka theksuar se Tahiri ka shpifur në adresë të tij e për këtë është bërë edhe padia.
Sipas tij, lidhur me Bulqizën, grupe të caktuara interesi duan të përfitojnë nga situata, pasi sipas tij gjatë kohës kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë në minierën e Bulqizës ka pasur shumë investime.
Ai nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e Tahirit për favorizime të njerëzve me pushtet për licencimet e bëra gjatë kohës që ai ka qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë. Për këtë, ka thënë Ruli është depozituar padi civile ndaj Tahirit dhe për këtë do të flasë drejtësia.