E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një ditë voto në Kuvend, një ditë jo”, s’ka lidhje me kontributin e PS për integrimin

17-09-2011 / Gazeta 55

Mesila Doda e quan lojë sjelljen e Edi Ramës

Mesila Doda, nënkryetare e Komisionit të Integrimit në Kuvend i tha medias se kryesocialisti Edi Rama po provon se kursi i tij i ri nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim publik.
Sipas deputetes Doda, loja e Ramës “Një ditë voto në Kuvend, një ditë jo”, nuk ka lidhje me kontributin e PS-së për integrimin, siç ai me deklarata pozitive është rikthyer në këtë sesion të ri parlamentar.
“Loja e Edi Ramës, një ditë voto në Kuvend, një ditë jo, nuk ka lidhje me kontributin e PS-së për integrimin, siç ai me deklarata pozitive është rikthyer në këtë sesion të ri parlamentar”, u shpreh ajo.
Sipas demokrates, dy ditë më parë në komisionin parlamentar të Kuvendit, për veprimtaritë prodhuese, u pa qartë se deklarata e kreut të PS-së, ishte mashtrimi i radhës. “Rama bie pre i ideve të tij. Deri më tani kemi pasur vetëm deklarata pozitive nga Partia Socialiste, por hapat që kanë bërë, kanë qenë vetëm bllokuese”, vijoi Doda.
Në këtë kuadër, ajo e ftoi opozitën të jetë serioze në nisjen e punës për përmbushjen e prioriteteve të Bashkimit Evropian, që prej dy vitesh janë të bllokuara në axhendën e Kuvendit.
Sipas deputetes demokrate, është koha që Rama të mësojë të lërë dredhitë politike, pre e të cilave përherë ka rënë vetë ai.
“Mos votimi i projektligjeve, tregon vetëm strategjinë bllokuese të opozitës që vazhdon. Strategji e cila nisi dy vite më parë, ku u bë një bllokim i fortë kundër liberalizimit të vizave. Opozita duhet t’i rikthehet votimin në Kuvend”, theksoi Doda.
Reagimi i deputetes demokrate Mesila Doda, erdhi pasi socialistët refuzuan të miratonin kodin ajror, hekurudhor, e detar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, e ndërsa vetëm një ditë më parë kishin dhënë votat për miratimin e kodit rrugor. Kjo nuk u mirëprit aspak nga kryetari i tyre Rama e që u reflektua menjëherë në bllokimin e kodeve të tjera në Kuvend, nën pretekstin se rikthimi i tyre nuk është për të votuar arna, por paketa ligjore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›