E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ora është disa sekonda para 12-s, dhe ne nuk presim surpriza të befta”

17-09-2011 / Gazeta 55

Ambasadorja gjermane në vendin tonë, Carola Muller-Holtkemper


Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Carola Muller-Holtkemper ka përshëndetur hapat e bashkëpunimit pozitë-opozitë. Ajo ka kërkuar që të fillohet puna për realizimin e rekomandimeve të OSBE- ODHIR. Në një intervistë për programin në shqip të “Deutche Welle” ajo është shprehur se të dyja palët kanë deklaruar për opinionin publik, apo për delegacione të ndryshme se kanë dëshirën për të bashkëpunuar me njeri, duke shtuar se hapat e parë në lidhje me këtë kontekst kanë ndodhur tashmë. “Të dyja palët kanë deklaruar për opinionin publik, apo për delegacione të ndryshme se kanë dëshirën për të bashkëpunuar me njeri – tjetrin dhe unë pikërisht këtyre deklaratave do të doja t’u përmbahem. Hapat e parë në lidhje me këtë kontekst kanë ndodhur tashmë. Ky është një fakt që dëshirojmë ta përshëndesim dhe i inkurajojmë të dyja palët që të ecin kundrejt njeri - tjetrit për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në radhë të parë në parlament, si dhe në kuadër të punës me komisionet parlamentare atje”, u shpreh ambasadorja gjermane në vendin tonë. Sipas saj tashmë që opozita është kthyer në parlament tashmë dhe asaj i nevojitet hapësira e nevojshme e lëvizjes për të përmbushur misionin e saj si një opozitë e një sistemi demokratik, duke shtuar se kjo hapësirë i duhet krijuar. Për sa i takon opinionit të progres-raportit të Komisionit Evropian për vitin 2011, ambasadorja gjermane shprehet se klasa politike në Shqipëri, qeveria dhe opozita, duhet të angazhohen seriozisht në realizimin e kursit të reformave, me qëllim realizimin e 12 rekomandimeve të Brukselit. “Raporti i ardhshëm i progresit nga Komisioni Europian për Shqipërinë do të publikohet pas më pak se një muaji. Për këtë arsye gjatë kësaj jave patëm vizita të rëndësishme në Shqipëri sikurse ishte ajo e dy ministrave të jashtëm të Italisë dhe Greqisë, apo dhe ajo e dy deputetëve gjermanë, njëri i mazhorancës dhe tjetri i opozitës në Bundestag. Ata kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë politik në Shqipëri dhe mesazhi ka qenë i qartë dhe konsistent: apelojmë si te qeveria, ashtu dhe te opozita për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në të mirë të progresit. Ora tashmë është disa sekonda para 12-ës. Ne nuk presim që ora të ndalojë këtu, ne nuk presim gjithashtu surpriza të cilat do të na vinin si të befta. Periudha e vëzhgimit të Shqipërisë nga ana e Komisionit Europian – e kemi përsëritur disa herë, është në përfundim dhe pjesa më e rëndësishme ka qenë deri përpara verës”, tha diplomatja gjermane në vendin tonë, Holtkemper. Lidhur me rastin e mos shtrëngimit të duarve mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama në 20 vjetorin e fondacionit “Friedrich Ebert, ajo tha se krahas të gjithave është për tu përshëndetur fakti se pas një periudhe të gjatë kohe u shfaqën publikisht së bashku. Më tej, ajo shton se, “tani është në dorë të shqiptarëve që pas fjalëve të vijnë veprime konkrete dhe të vijohet me procesin e reformave dhe kjo ka rëndësi thelbësore për ecurinë e vendit. Më pas ajo që ka rëndësi është zbatimi i këtyre ligjeve që miratohen”, tha Hotlkemper. Ndërsa përfundoi duke theksuar se Gjermania do ndihmojë në investime Shqipërinë, kryesisht në investime infrastrukturore, furnizimin me energji elektrike si dhe me programe të posaçme për mirëqeverisjen e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›