Gjykata e Lartë liron Minxollin, i hapet rruga Delijorgjit e Pinarit
Kolegji Penal i ka dhënë fund ngërçit të afateve të paraburgimit, duke lënë Dritan Minxollin në arrest shtëpie. Zvarritja e gjyqit për tragjedinë e Gërdecit pritet të pasohet edhe me lirimet e Delijorgjit e Ylli Pinarit
Tiranë Gjykata e Lartë vendosi dje të lirojë nga qelia Dritan Minxollin, duke i hapur kështu rrugën edhe tre të arrestuarve të tjerë për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit e Sokol Ngjeçit. Kolegji Penal ka pranuar dje kërkesën e avokatit mbrojtës të Minxollit për lirimin e menjëhershëm nga qelia, për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit. Debati për përfundimin e afateve të paraburgimit të 4 të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit ka nisur rreth tre muaj më parë, kur për herë të parë avokatët mbrojtës paraqitën pretendimin se klientët e tyre duhet të lirohen për shkak të afateve. Ndryshe nga tre të pandehurit e tjerë, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi, Minxolli e paraqiti pak kohë më vonë këtë kërkesë, e cila u refuzuar nga shkalla e parë dhe Gjykata e Apelit. Më herët, për të njëjtën çështje, Gjykata e Lartë la rekomandime konkrete lidhur me kërkesën e tre të pandehurve, e kur e njëjta kërkesë u ka mbërritur sërish, kanë vendosur lirimin e tij. Sipas Gjykatës së Lartë, Minxolli ka qëndruar në qeli jashtë afateve të parashikuara në ligj dhe për këtë arsye vendosi të ndryshojë masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Duke qenë se ky vendim është marrë rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, nuk është bërë i mundur lirimi i Minxollit nga qelia. Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar, pritet të bëhet mëngjesin e ditës së sotme, kur Dritan Minxolli do të lërë qelinë pas rreth 3 vjetësh në paraburgim. Në arsyetimin e vendimit, shkalla më e lartë e gjyqësorit thotë se në llogaritjen e afateve të paraburgimit për të pandehurit nuk duhet të merret parasysh koha e pushimeve verore dhe dimërore të gjykatës, kohë kjo që i shton rreth dy muaj afatit të qëndrimit në burg të katër të arrestuarve. Po ashtu, Gjykata e Lartë është shprehur në vendimin e saj se llogaritja e kohës së paraburgimit për Delijorgjin, Pinarin, Minxollin dhe Ngjeçin fillon nga 13 marsi i vitit 2009, kur Prokuroria ka dorëzuar dosjen hetimore në Gjykatë. Por të gjitha këto rekomandime të bëra për Gjykatën e Shkallës së Parë, nuk janë zbatuar deri tani për tre të pandehurit e tjerë, duke detyruar kështu shkallën më të lartë të gjyqësorit të vendosë lirimin e Minxollit. Kërkesa e tre të pandehurve të tjerë, pasi ka përshkruar të tria shkallët e gjyqësorit, ka përfunduar tashmë sërish në Gjykatën e Lartë. Fillimisht, shkalla e parë refuzoi lirinë e Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjeçit, me argumentin se kërkesa e tyre kishte mangësi procedurale dhe nuk ishte bërë me shkrim. Avokatët bënë ankim në Gjykatën e Apelit, si dhe rikërkuan sërish nga shkalla e parë rishqyrtimin e kërkesës për lirim të menjëhershëm nga qelia të klientëve të tyre. Kjo kërkesë nuk u shqyrtua nga shkalla e parë, e cila shpalli moskompetencë, pasi kërkesa ishte ankimuar në Apel, ndërsa tashmë çështja është sërish në Gjykatën e Lartë.
Durda: Lirimi i Minxollit, gjyqësori ka marrë fund
Kryetari i shoqatës “Familjarët e viktimave të Gërdecit” paralajmëron të pandehurit: Ishit më të sigurt në burg se në shtëpitë tuaja
Tiranë Babai i vogëlushit Erison Durda, që humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit, e cilëson lirimin nga qelia të Dritan Minxollit si aktin e fundit të një procesi të shkatërruar. “Ishit më të sigurt në burg se në shtëpitë tuaja”, - paralajmëron Ferizan Durda të akuzuarit për tragjedinë, duke shtuar se, nëse gjykata nuk vendos drejtësi, ata janë të detyruar të bëjnë vetëgjyqësi.
Z. Durdaj, sot Gjykata e Lartë vendosi të lirojë nga qelia një nga të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit. Si e komentoni ju këtë vendim?
Jam ende i turbullt nga ajo që dëgjova. Edhe pse lajmin e kam marrë rreth mesditës, ende nuk mund ta besoj këtë vendim. Nuk e di çfarë është kjo gjykatë që liron të akuzuar për vrasje. Dua t’u them se këtu ka marrë fund çdo gjë. Gjykata dhe drejtësia kanë marrë fund dhe mendoj se asnjëherë nuk do vihet në vend drejtësia nga institucionet përkatëse. Nuk e di... por është vendim që tregon marrjen fund të gjyqësorit.
Ju keni ndjekur gjithë seancat e zhvilluara në Gjykatën e Tiranës për 29 të akuzuarit si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ku ju keni humbur të afërmit tuaj. Si e cilësoni ecurinë e deritanishme të procesit dhe a keni ju ende shpresë për drejtësi?
Ky proces tashmë mund të quhet i shkatërruar. Për këtë, është fajtore gjykata, por përgjegjësi më të madhe kanë avokatët, dhe në veçanti kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Gjykata është përgjegjëse që nuk vendosi të zhvillojë gjykim të pandërprerë. Nëse do të ishte kështu, tashmë procesi do të kishte përfunduar. Por më shumë faj për procesin e shkatërruar kanë avokatët mbrojtës të kryesuar nga kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Pas kërkesës që avokatët bënë për lirimin e të pandehurve, ka nisur zbatimi i një skeme për shtyrjen e vazhdueshme të procesit. Sikur të mos mjaftonte kjo, seancën e fundit avokati i të pandehurit Mihal Delijorgji dha dorëheqjen, me qëllim që avokati i caktuar të kërkojë edhe disa javë kohë për t’u njohur kështu me aktet. Mund t’ju them që ky proces është shkatërruar.
A keni ju besim se, për atë që ndodhi më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, një ditë do të vihet drejtësia në vend?
Gjykatat shqiptare e kanë dhënë tashmë mendimin e tyre për këtë çështje. Por ne nuk do e lëmë me kaq. Do e kërkojmë drejtësinë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje do i drejtohemi edhe Gjykatës së Strasburgut, nëse është e nevojshme. Dua t’ju them një gjë atyre që u liruan dhe do lirohen: Ishit më të sigurt në burg sesa në shtëpitë tuaja. Nuk mund të harrohet gjaku i të afërmve tanë.
Z. Durdaj, ju po thoni se, në rast se gjykata nuk vendos drejtësi, ju do të bëni vetëgjyqësi?
Nëse gjykata nuk do të japë drejtësi, këtë gjë do e bëjmë vetë. Nuk do të vendosim drejtësi vetëm për vete, por për të gjithë shqiptarët.
Intervistoi: